Delegacioni i Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës zhvillon një vizitë pune në Autoritetin Turk të Konkurrencës

Tiranë, 15 Prill 2025 – Një delegacion i Autoritetit të Konkurrencës i përbërë nga znj. Fatjola Delija, Anëtare e Komisionit të Konkurrencës, z. Endi Çekani, Sekretar i Përgjithshëm, dhe z. Albi Kolaneci, Inspektor në Drejtorinë e Analizës dhe Metodologjisë së Tregjeve, realizoi një vizitë pune në Ankara, Turqi, nga data 13 deri më 15 prill 2025, me ftesë të Autoritetit Turk të Konkurrencës.

Gjatë kësaj vizite, delegacioni shqiptar u prit nga zv. presidenti i Autoritetit Turk të Konkurrencës, si dhe anëtarë të komisionit, dhe pati mundësinë të njihte nga afër proceset e punës dhe teknologjitë e përdorura në fushën e analizës, hetimeve dhe mbikëqyrjes së tregjeve në Turqi. Pjesë e kësaj vizite ishin edhe takime dhe shkëmbime të pikëpamjeve për përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e efikasitetit të punës së dy institucioneve.

Delegacioni shqiptar u njoh gjithashtu me disa prezantime dhe praktika të avancuara në fushën e konkurrencës, përfshirë teknikat e hetimit gjatë inspektimeve të papritura, si dhe me vendime të rëndësishme të Autoritetit Turk të Konkurrencës mbi raste të abuzimit me pozitat dominuese në tregjet digjitale dhe raste të marrjes së masave ndaj praktikave të koordinuara në tregjet e industrisë ushqimore. Një theks i veçantë u vu gjithashtu në teorinë e analizës ekonomike në rastet e abuzimit të dominancës dhe të praktikave të paligjshme të konkurrencës.

Kjo vizitë ishte një mundësi e shkëlqyer për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për shkëmbimin e ekspertizës ndërmjet dy autoriteteve për të përmirësuar më tej mbikëqyrjen dhe rregullimin e tregjeve, me qëllim ruajtjen e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e interesit të konsumatorëve.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.