Forumi Ndërkombëtar: Politikat e Konkurrencës dhe Mbrojtja e Konsumatorëve në Fokus

Tiranë, 22 janar 2025

“Mbrojtja e konsumatorëve, nxitja e konkurrencës: perspektiva dhe strategji për tregjet gjithëpërfshirëse dhe dixhitale” ishte tema e Forumit Ndërkombëtar të organizuar sot nga Autoriteti i Konkurrencës dhe Komisioni i Mbrojtjes së Konsumatorit, si pjesë e projektit të bashkëpunimit teknik të UNCTAD.

Forumi mblodhi së bashku ekspertë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të institucioneve publike dhe private, si dhe aktorë të tjerë të interesuar, me fokus ndërthurjen e politikave të konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorit në ekonominë dixhitale në zhvillim.

Pas fjalës së hapjes nga z. Denar Biba, Kryetar i Autoritetit të Konkurrencës, znj. Borana Kalemi, Këshilltare pranë Ministrisë së Ekonomisë, dhe znj. Teresa Moreira, Drejtuese e Degës për Politikat e Konkurrencës dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të UNCTAD, aktiviteti vijoi me nënshkrimin e një Memorandumi Mirëkuptimi ndërmjet Autoritetit të Konkurrencës dhe Komisionit të Mbrojtjes së Konsumatorit.

Programi përfshiu dy panele diskutimi:

Paneli i parë u fokusua në integrimin e perspektivave të konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorit për tregje gjithëpërfshirëse.

Paneli i dytë trajtoi sfidat dhe mundësitë e zbatimit të ligjit në tregjet dixhitale, duke eksploruar opsionet e politikave për të garantuar konkurrencë të drejtë dhe mbrojtje të të drejtave të konsumatorëve.

Pjesëmarrësit ndanë praktikat më të mira dhe propozuan strategji për të adresuar sfidat komplekse të tregjeve bashkëkohore, duke u përqendruar në përforcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve relevante.

Forumi u mbyll me një sesion përmbledhës, ku z. Denar Biba përmbylli diskutimet duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të qasjeve të integruara dhe bashkëpunimit për një zhvillim të qëndrueshëm të tregut shqiptar.

Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një kulture më të fuqishme të konkurrencës dhe mbrojtjes së konsumatorëve në Shqipëri.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.