Në datat 16-17 nëntor 2022, u mbajt në Tbilisi, Gjeorgji, Konferenca e Parë Ndërkombëtare për Konkurrencën dhe Mbrojtjen e Konsumatorit.
Në këtë aktivitet, Autoriteti i Konkurrencës u përfaqësua nga Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës Z. Denar Biba, i cili ishte i ftuar si folës në Sesionin me temë “Facilitetet thelbësore dhe refuzimi për të furnizuar, teori dhe praktikë (Abuzim i qasjeve dominuese teorike dhe raste praktike, partner tregtar thelbësor).
Gjithashtu, pjesë e rëndësishme e axhendës së kësaj konference ishte dhe nënshkrimi, në kuadër të forcimit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të Autoritetit të Konkurrencës me autoritete homologe në arenën ndërkombëtare, i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës dhe Agjencisë Gjeorgjiane Kombëtare të Konkurrencës. Nënshkrimi i këtij Memorandumi do të nxisë dhe forcojë bashkëpunimin në zbatimin e ligjit të konkurrencës ndërmjet palëve; shkëmbimin e informacionit jo-konfidencial për zhvillimet dhe rastet legjislative; organizimi i vizitave studimore, trajnimit të ekspertëve si dhe pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare, simpoziume dhe seminare të tjera të organizuara nga palët.
Në këtë Konferencë morën pjesë shumë delegacione nga agjenci të konkurrencës së vendeve të ndryshme, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të agjencive publike, komunitetit akademik, organizatave ndërkombëtare dhe sektorit të biznesit.