Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 14.04.2023, mori në shqyrtim raportin e hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve AGRO BLEND SHPK, BOMIRA SHPK, DEVI 20 – GRUP SHPK, EQEREM-934 SHPK, FERRA & CO SHPK, GLOBCOM SHPK, KRIKET-1 SHPK, TEUTA DURRES SHPK dhe PDF SHPK në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal.
Në përfundim të analizës së çmimit të shitjes me shumicë të vajit të lulediellit, rezultoi se, gjatë periudhës hetimore, rritja e çmimit të shitjes me shumicë e bërë prej ndërmarrjeve nën hetim ka reflektuar rritjen e çmimit mesatar të importit. Po ashtu, u konstatua se çmimet mesatare mujore të shitjes me shumicë nuk janë të përafërta për këto ndërmarrje.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 975, datë 14.04.2023 vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjeve AGRO BLEND SHPK, BOMIRA SHPK, DEVI 20 – GRUP SHPK, EQEREM-934 SHPK, FERRA & CO SHPK, GLOBCOM SHPK, KRIKET-1 SHPK, TEUTA DURRES SHPK dhe PDF SHPK në tregun e importit, prodhimit dhe shitjes me shumicë të vajit vegjetal.
Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës shqyrtoi dhe raportin mbi hetimin parapak në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të betonit në qarkun e Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit.
Nga analiza e çmimeve mesatare mujore të shitjeve me shumicë të produktit beton, në qarkun e Tiranës, të Durrësit dhe të Elbasanit vërehet se çmimet e aplikuara nga ndërmarrjet janë të ndryshme nga njëra – tjetra dhe ritmi i ndryshimit të tyre është i ndryshëm, duke mos vërejtur shenja të caktimit të çmimeve apo koordinimit të tyre në ritmin e rritjes apo të zbritjes në kuptim të nenit 4 të ligjit nr. 9121/2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 976, datë 14.04.2023 vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të paraprak në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të betonit në qarkun e Tiranës.
Për më tepër, ju lutem konsultohuni me faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës në https://caa.gov.al.