Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij më datë 11.05.2023, mori në shqyrtim çështjet e mëposhtme:
1. Rastin e ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
Referuar monitorimit në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nga ana e Komisionit të Konkurrencës u vlerësua se, mund të jemi para shkeljes së nenit 9 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ku përcaktohet se përbën abuzim nga ana e një ndërmarrje me pozitë dominuese refuzimi për të ofruar shërbime/produkte duke i vendosur ato në kushte të pabarabarta konkurrence.Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 984, datë 11.05.2023 vendosi hapjen e procedurës së hetimit paraprak ndaj ndërmarrjes Tirana International Airport SHPK në tregun e shërbimit taksi për udhëtarë nga dhe drejt Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
2. Rastin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet krijimit të një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota, nga shoqëritë Saudi Aramco Development Co Ltd. dhe shoqëria Excel Investments Netherlands B.V.
Përqendrimi i njoftuar nuk do të krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, transaksioni i synuar nuk do të sjellë ndryshim dhe nuk do të ketë ndikim në tregun shqiptar.Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me vendimin nr. 981, datë 11.05.2023 vendosi të autorizojë përqendrimin e realizuar nëpërmjet krijimit të një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota, nga shoqëritë Saudi Aramco Development Co Ltd. dhe shoqëria Excel Investments Netherlands B.V.
3. Rastin e marrëveshjes së lidhur ndërmjet shoqërive Philip Morris Products S.A dhe KT&G Corporation.
Ky njoftim nuk përmban kufizime të veprimtarisë së ndërmarrjeve pjesëmarrëse dhe nuk kufizon konkurrencën në lidhje me produktet objekt i marrëveshjeve. Këto marrëveshje do të ndihmojnë në rritjen e prodhimit, gjenerimin e efekteve pozitive për konsumatorët dhe konkurrencën në tregun shqiptar në përgjithësi, duke përfshirë një përzgjedhje më të gjerë dhe me më shumë alternativa në produktin e cigareve pa djegie, zgjerimin e rrjetit të shpërndarjes dhe do të rrisin mundësinë e zgjedhjeve konsumatore për produkte të reja.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës, me Vendimin Nr. 983, datë 11.05.2023 vendosi të përjashtojë nga ndalimi “Marrëveshjen Kuadër për Tregtimin dhe Licencën e Teknologjisë”, “Marrëveshjen për Licencën e Markës Tregtare” dhe “Marrëveshjen e Shërbimit për Furnizimin dhe Logjistikën”, të lidhura ndërmjet palëve Philip Morris Products S.A dhe KT&G Corporation.
Afati i përjashtimit të marrëveshjeve të jetë për një periudhë 2 (dy) vjeçare, nga marrja e këtij vendimi.
Për më tepër, ju lutem konsultoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës – https://caa.gov.al.