Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 479 prot. i AK, datë 14.05.2025 “Njoftim i Përqendrimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave e Republikës së Italisë / Retelit S.p.A. / Telecom Italia Sparkle S.p.A.”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar të përftimit të kontrollit të përbashkët indirekt mbi shoqërinë TELECOM ITALIA SPARKLE S.P.A., nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Republikës së Italisë dhe RETELIT S.P.A.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: Boost BidCo S.r.l. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Italisë, me objekt aktiviteti zotërimi i aksioneve dhe pjesëmarrja në shoqëri të tjera.
Boost BidCo S.r.l. është në pronësi të plotë të Boost HoldCo S.r.l., e cila është një shoqëri e organizuar dhe ekzistuese sipas ligjeve të Italisë.
Në mbyllje tw transkaisonit, Boost HoldCo S.r.l., do të zotërohet nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Republikës së Italisë dhe nga RETELIT S.P.A.
RETELIT S.P.A. është shoqëria holding e një grupi italian që ofron shërbime të të dhënave dhe infrastrukturës për tregun e telekomunikacionit, duke përfshirë lidhje me fibra optike për rrjetet backbone dhe backhaul, si dhe zgjidhje për housing dhe cloud. Grupi operon gjithashtu një kampus të rëndësishëm dhe me densitet të lartë ndërlidhjeje për qendrat e të dhënave në tregun italian.
RETELIT S.P.A. nuk ka prani ligjore dhe nuk ka realizuar xhrio në Shqipëri.
Ministria e Ekonomisë dhe Financave e Republikës së Italisë është një organ qeveritar i Republikës së Italisë, përgjejgjës për politikën ekonomike të shtetit, financat publike, tatimet dhe kontrollin e shpenzimeve publike.
Pala shitëse: Telecom Italia S.p.A. (TIM S.p.A.) është një shoqëri e themeluar dhe ekzistuese sipas ligjeve të Italisë. TIM S.p.A. është një shoqëri telekomunikacioni, e listuar publikisht, e cila ofron shërbime telekomunikacioni fiks dhe celular, akses në internet, transmetim të të dhënave, riparime dhe shërbime pas shitjes, si dhe telefona dhe aksesorë
Shoqëria target: TELECOM ITALIA SPARKLE S.P.A. është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit të Republikës së Italisë, aktualisht e zotëruar nga TIM.
TELECOM ITALIA SPARKLE S.P.A. nuk ka ndonjë subjekt të regjistruar në Shqipëri, megjithatë ajo gjeneron xhiro në tregun vendas përmes marrëveshjeve të shërbimit dhe marrëdhënieve tregtare me operatorë dhe klientë vendas.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.