Komisioni i Konkurrencës, në mbledhjen e tij të radhës, mori në shqyrtim njoftimin e përqendrimit të realizuar nëpërmjet blerjes së disa aseteve të shoqërive të caktuara të Grupit Auto-Holding Dresden nga shoqëria VGRDD GmbH.
Auto-Holding Dresden GmbH, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit gjerman, me objekt aktiviteti tregtimin me pakicë të automjeteve të reja dhe të përdorura, pjesë këmbimi dhe aksesorë të të gjitha llojeve, riparimin e automjeteve dhe të gjitha llojet e shërbimeve të makinave, etj.
VGRDD GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit gjerman, me objekt aktiviteti tregtimin e pjesëve motorike, aksesorëve, funksionimin e dyqaneve të riparimit, marrjen me qera të automjeteve dhe mirëmbajtjen e tyre. VGRDD GmbH është një filial në pronësi të plotë të VGRD GmbH, pjesë e Grupit Volksëagen i cili operon në Shqipëri përmes shoqërive të zotëruar indirekt prej tij si Porsche Albania SHPK dhe Porsche Leasing SHPK.
Bazuar në analizën e konkurrencës, Komisioni i Konkurrencës vlerësoi se përqendrimi i njoftuar nuk do të krijojë mbivendosje ose marrëdhënie të rrjedhës së sipërme apo të poshtme midis aktiviteteve të palëve në nivel kombëtar dhe për këto arsye, transaksioni i synuar nuk do të sjellë asnjë ndryshim dhe nuk do të ketë asnjë ndikim në tregun shqiptar.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës me Vendimin nr. 883, datë 18.05.2022, vendosi të autorizojë përqendrimin e njoftuar.
Gjithashtu, Komisioni i Konkurrencës morri në shqyrtim raportin e Sekretariatit mbi hetimin paraprak ndaj ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK, në tregun e ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm.
NOA CONTROL SHPK, në bazë të Kontratës së Koncesionit “Për shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm” të nënshkruar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ka të drejtën e vetme dhe ekskluzive të kryejë shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, gjatë gjithë periudhës koncesionare.
Në përfundim të procedurës hetimore, nuk u evidentuan shenja të kufizimit të konkurrencës nga ana e ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK në ofrimin e shërbimit të verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe GLN-së, në kuptim të nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003.
Për këto arsye, Komisioni i Konkurrencës mori Vendimin nr. 884, datë 18.05.2022, nëpërmjet të cilit vendosi mbylljen e procedurës së hetimit paraprak dhe detyrimin e ndërmarrjes NOA CONTROL SHPK, si një ndërmarrje me të drejta të veçanta, që gjatë ushtrimit të aktivitetit të saj të respektojë parimet dhe rregullat e konkurrencës, veçanërisht parashikimet e nenit 9 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Në vijim të mbledhjes, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të nenit 70, pika 2 e ligjit, vendosi t’i rekomandojë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, si vijon:
a) Miratimin e një metodologjie për llogaritjen e ndryshimit të tarifave të shërbimeve të ofruara nga Shoqëria Koncesionare NOA Inspect SHPK, tarifa këto të cilat duhet të jenë të argumentuara dhe të orientuara drejt kostos;
b) Në çdo rast të ndryshimit të tarifave të ofrimit të shërbimit të kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm dhe çdo shërbimi tjetër të ofruara nga Shoqëria Koncesionare NOA Inspect SHPK, të merret paraprakisht vlerësimi ligjor i Autoritetit të Konkurrencës;
c) Miratimin e një metodologjie për vendosjen e përqindjes për instrumentat matës të verifikuara që rezultojnë me probleme, duke implementuar rekomandimin e dhënë nga Komisioni i Konkurrencës exante me vendimin nr. 646/2019, “Për dhënien e disa rekomandimeve në lidhje me Draft Kontratën e Koncesionit me objekt “Për shërbimin e kontrollit ligjor të instrumenteve matëse, nëpërmjet verifikimit të instrumenteve shpërndarëse të karburantit dhe gazit të lëngshëm”, pika II/2/a).
Për më shumë shikoni Vendimin nr. 883 dhe Vendimin nr. 884, datë 18.05.2022 në caa.gov.al.