Çfarë është një përqendrim?

“Sipas Ligjit Nr. 9121 dt 28.7.2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës” Kreu III neni 10 Përqendrime të ndërmarrjeve kemi ne rastet kur shkaktohet një ndryshim i qëndrueshëm i kontrollit si rrjedhojë e:
- Bashkimit të dy ose më shumë ndërmarrjeve ose pjesë ndërmarrjesh të pavarura nga njëra –tjetra;
- Përfitimit të kontrollit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, nga një ose më shumë persona fizikë, të cilët njëkohësisht kanë kontrollin e të paktën një ndërmarrje tjetër ose nga një ose më shumë ndërmarrje, mbi një ose më shumë ndërmarrje ose pjesë të këtyre të fundit, përmes blerjes së aksioneve, kuotave ose aseteve , kontratës ose çdo mjeti të ligjshëm;
- Kontrollit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi një ose më shumë ndërmarrje ose të një pjese të këtyre të fundit;
- Krijimit të një ndërmarrje të përbashkët e cila nuk ka si objekt apo pasojë bashkërendimin e veprimtarive konkurruese ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjesh të pavarura”.

Llojet e Përqendrimeve?

Përqendrimet janë :
Horizontale- nëse ndërmarrjet pjesëmarrëse janë aktive në të njëjtin treg përkatës
Vertikale- nëse ndërmarrjet operojnë në nivele të ndryshme të tregut Të përziera-nëse ndërmarrjet, megjithëse mund të mos jenë në nivele të ndryshme të tregut, janë active në tregje prodhimesh të ndryshme. Këto quhen dhe përqendrime johorizontale
Bashkimet dhe përqendrimet mund të jenë asnjanëse ndaj konkurrencës ose, në disa raste, i bëjnë ndërmarrjet më efikase, forcojnë konkurrueshmërinë e tyre dhe çojnë në uljen e kostove, duke rritur përfitimet për konsumatorët. Veprimtaria e bashkimit është pjesë e ristrukturimit industrial dhe shihet si e nevojshme për t’ju përgjigjur sfidave të ekonomisë botërore.

Kur një përqendrim bëhet objekt shqyrtimi nga ana e Autoritetit të Konkurrencës?

“Një përqendrim, bëhet objekt shqyrtimi nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, pra njoftohet në Autoritet për marrje autorizimi, vetëm nëse përmbush kushtin e parashikuara në nenin 12, pika 1 e ligjit: “Përqendrimet e ndërmarrjeve njoftohen në Autoritet, për të marrë autorizim, nëse në vitin e fundit financiar, para përqendrimit:
a) xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku, në tregun ndërkombëtar, është më shumë se 7 miliardë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrje pjesëmarrëse në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lekë.
b) xhiroja e të gjitha ndërmarrjeve pjesëmarrëse së bashku në tregun e brendshëm është më shumë se 400 milionë lekë dhe xhiroja e të paktën një ndërmarrje pjesëmarrëse, në tregun e brendshëm, është më shumë se 200 milionë lekë”.

Kur duhet njoftuar një përqendrim?

“Përqendrimi që përmbush kushtin e sipërshënuar, (neni 12, pika 1 e ligjit), duhet njoftuar brenda 30 ditëve nga lidhja e marrëveshjes për bashkim ose përftim kontrolli ose për krijimin e një ndërmarrje të përbashkët me karakteristikat e parashikuara në pikën 3 të nenin 10 te Ligjit, si dhe nga publikimi i ofertës për blerje ose shkëmbim. Edhe një marrëveshje me gojë e palëve që shesin apo blejnë konsiderohet përqendrim dhe duhet njoftuar brenda një jave në A.K, por gjithmonë kur plotësojnë kufirin e xhiros. (Neni 12, pika 2. Përqendrimet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni njoftohen brenda 30 ditëve nga lidhja e marrëveshjes për bashkim ose përftim kontrolli ose për krijimin e një ndërmarrje të përbashkët me karakteristikat e parashikuara në pikën 3 të nenin 10 te Ligjit, si dhe nga publikimi i ofertës publike për blerje ose shkëmbim)”.

Theksojmë se koncepti i përqendrimit, detyrimi për njoftim apo e gjithë procedura e kontrollit të përqendrimeve të parashikuara në ligjin 9121, datë 28.7.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, është e njëjtë me atë që parashikon legjislacioni europian. Në këtë kontekst, si dhe në zbatim të detyrimit të përcaktuar në nenin 84 të ligjit, është dhe:
a) “Rregullorja për zbatimin e procedurave të përqendrimit të ndërmarrjeve”(shiko te Rregullore-arkive per te download Rregulloren)
b) Udhëzimi për formën e njoftimit të përqendrimit (shiko tek Udhezime dhe Formular-arkive per te download Udhezimin) dhe Formularin për njoftimin e përqendrim (shiko tek Udhezime dhe Formular-arkive per te download Formularin e plote apo te thjeshtuar), të cilat u vihen në dispozicion palëve që kanë detyrimin për njoftimin e përqendrimit. Aktet nënligjore të mësipërme janë konform legjislacionit eurpian për këtë qëllim.

Kur lind detyrimi për njoftim me procedurë të thjeshtuar?

Në rastet e përqendrimeve që nuk sjellin ndryshime të strukturës së tregut përkatës, pala njoftuese mbush formularin e thjeshtuar të njoftimit.E gjithë kjo procedurë fillon me një kërkesë të palës njoftuese, ku ajo argumenton që përqendrimi i realizuar nuk ka asnjë pasojë për rritjen apo krijimin e pozitës së njësisë pas përqendrimit.Kjo ndodh në ato raste kur transaksioni i kryer është ndryshim pronësie, që nuk shkakton ndryshim brenda njësisë objekt i transaksionit, por edhe në tregun e sektorit përkatës. Pavarësisht nga kjo, është Autoriteti i Konkurrencës (Sekretariati) që vendos që pala njoftuese të përdorë formën e thjeshtuar të njoftimit.

Fazat e shqyrtimit të një përqendrimi?

Procedura e Kontrollit të një përqendrimi zgjat 5 muaj dhe ndahet në dy faza:
faza e procedurës paraprake (2 muaj)
faza e procedurës së thelluar (3 muaj)
Në një procedurë njoftimi të përqendrimit, Autoriteti i Konkurrencës fton edhe palë të treta që mendon se mund të preken direkt apo indirekt me këtë përqendrim.
Procedura e thelluar hapet vetëm në rastet kur përqëndrimi i realizuar dhe i njoftuar shfaq shenja të kufizimit në mënyrë të ndjeshme të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij , në veçanti, si rezultat i krijimit apo të forcimit të pozitës dominuese dhe kjo procedurë fillon me vendim të Komisionit.

Te drejtat që rrjedhin nga autorizimi i një përqendrimi

Autorizimi ose jo i një përqendrimi është e drejtë ekskluzive e Autoritetit të Konkurrencës dhe nuk mund të kthehet as nga Gjykata. Neni 65, pika 3 e ligjit"Nuk i nënshtrohen juridiksionit të gjykatave kërkesat për përjashtim nga një marrëveshje e ndaluar dhe procedurat e kontrollit të përqendrimeve.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.