Në kuadër të promovimit të kulturës së konkurrencës, mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive në treg dhe për të luftuar në mënyrë efektive marrëveshjet në oferta në procedurat e prokurimit publik, Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi sot, më datë 6 qershor, Workshop-in me Shoqatën “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” me temë “Marrëveshjet në Oferta në Proçedurat e Prokurimit Publik në Kuptim të Ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”.
Në fjalën e tij Kryetari i Autoritetit të Konkurrencës, Z. Denar Biba prezantoi për të ftuarit, specifikat kryesore të legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës, nevojën për një rol proaktiv të AK në funksion të kontrollit, zbulimit dhe ndëshkimit të marrëveshjeve të ndaluara në prokurimin publik, si dhe raste konkrete nga veprimtaria e Autoritetit lidhur me hetime të mëparëshme në tregun e prokurimeve publike, në një bashkëbisedim interaktiv me pjesëmarrës nga bota e biznesit.
Ky Workshop u përshëndet nga Znj. Mira Pogaçi, Drejtore Ekzekutive e Shoqatës “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” e cila në fjalën e saj vlerësoi bashkëpunimin e Autoritetit të Konkurrencës për mirëfunksionimin e tregut për sigurimin e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg për përmirësimin e procedurave të prokurimit publik. Në këtë Workshop morën pjesë dhe përfaqësues nga Agjencia e Prokurimit Publik.
Gjithashtu, përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës paraqitën në mënyrë të detajuar për të pranishmit, prezantime për “Marrëveshjet në oferta në proçedurat e prokurimit publik në kuptim të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”; Programin e Përputhshmërisë me Rregullat e Konkurrencës dhe prezantim për Programin e Lehtësimit nga Gjobat.
Ky aktivitet shërbeu për forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive për mirëfunksionimin e tregut, veçanërisht në çështje si prokurimet publike si dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit të Konkurrencës me shoqatën “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë” dhe botën e biznesit, me synim identifikimin e mënyrave dhe mjeteve për të adresuar rastet e marrëveshjeve të ndaluara në ofertat publike, rritjen e ndërgjegjësimit për minimizimin e praktikave antikonkurruese të fshehta në tregjet e prokurimit, marrjen e nismave të përbashkëta për të përmirësuar njohuritë e përfaqësuesve të Autoriteteve Kontraktore etj.