Pranë Autoritetit të Konkurrencës është depozituar shkresa nr. 438 prot. i AK, datë 28.04.2025 “Konfirmimi i Depozitimit të Njoftimit”, nëpërmjet të cilës jemi njoftuar mbi blerjen e propozuar, deri në 100% të aksioneve dhe të drejtave të votës në shoqërinë Topcon Corporation nga shoqëria blerëse TK Co., Ltd.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Ofertuesi/Blerësi: – TK Co., Ltd, është një shoqëri aksionare e themeluar sipas legjislacionit të Japonisë, me objekt aktiviteti: Tregti dhe të gjitha aktivitetet e tjera që janë të ndërlidhura ose plotësuese me tregtimin. Gjithashtu biznesi kryesor i kësaj shoqërie është blerja dhe zotërimi i Letrave me Vlerë të shoqërisë nëpërmjet Ofertës së Tenderit, si dhe kontrolli dhe menaxhimi i aktiviteteve të biznesit të shoqërisë pas përfundimit të Ofertës së Tenderit.
Ofertuesi TK Co., Ltd është një shoqëri e krijuar për qëllim të veçantë të transaksionit (SPV), që zotërohet indirekt nga fondet e investimit, strukturat dhe/ose llogaritë e këshilluara dhe të administruara nga filiale te ndryshme të KKR & Co. Inc.
KKR është një firmë globale investimesh që ofron menaxhim të aseteve alternative, si dhe zgjidhje për tregjet e kapitaleve dhe sigurimet, e cila nuk ka filiale në Shqipëri, por realizon të ardhura nëpërmjet shitjeve të realizuara nga shoqëritë me portofol të kontrolluar dhe menaxhuara nga filiale të ndryshme të KKR & Co.
Shoqëria Target: TOPCON CORPORATION është një shoqëri e regjistruar sipas ligjeve të Japonisë, e cila bashkë me filialet përbejnë Grupin Topcon. Topcon është një zhvillues, prodhues dhe furnizues i pajisjeve dhe software-it në dy linja kryesore biznesi: sisteme pozicionimi për klientët e infrastrukturës dhe agrikulturës; dhe pajisje të kujdesit për sytë, në fushën e mjekësisë.
Në Shqipëri, TOPCON CORPORATION nuk ka prezence juridike, por është aktiv në fushat e tij të biznesit të kujdesit për sytë dhe infrastrukturën.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.