Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr.450 prot., i AK, datë 15.08.2023, “Depozitim i njoftimit të përkohshëm në lidhje me transaksionin midis Proximus Opal S.A/N.V, Proximus S.A/N.V dhe Shitësve (anëtarë të familjes Gupta)”, ku jemi njoftuar mbi transaksionin e blerjes së kontrollit influencues të shoqërisë target Route Mobile Limited nga shoqëria Proximus Opal.
Referuar dokumentit “Marrëveshje për blerjen e aksioneve”, palët janë:
Pala blerëse: Proximus Opal, është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Belgjikës. Veprimtaria kryesore e shoqërisë Proximus Opal është të veprojë në cilësinë e likuiduesit ose administruesit/menaxhuesit dhe të përfitojë pjesëmarrje me ofertë publike ose private në kapitalin e institucioneve, shoqërive, ndërmarrjeve, dhe/ose organizatave, belge, të huaja ose ndërkombëtare, që kanë të njëjtë, të ngjajshëm ose të lidhur, ose në të cilat Proximus zotëron pjesëmarrje të drejtëpërdrejtë dhe të tërthortë.
Proximus Opal është filial i Proximus, pjesë e Grupit Proximus.
Proximus Opal nuk është prezent, por realizon xhiro në Shqipëri nga shitjet në tregun ndërkombëtar të shërbimeve të telekomunikacionit të operatorëve me shumicë.
Pala shitëse: Shitësit janë persona fizikë, familjarë të familjes Gupta, së bashku me subjektet e tyre të lidhura.
Shoqëria Target: Route Mobile Limited, është një shoqëri indiane, e themeluar sipas legjislacionit të Indisë.
Route Mobile Limited ofron përvoja të konsumatorëve të lidhur në kohë reale me platformën e saj të avancuar të komunikimit si shërbim të bazuar cloud (renë) kompjuterike (CPaaS), në nivel ndërkombëtar. Route Mobile u shërben ndërmarrjeve, ofruesve të shërbimeve over-the-top dhe operatorëve të rrjetit celular. Route Mobile Limited ofron një paketë të plotë produktesh komunikimi, bazuar në parimet e një CPaaS, duke “injektuar” inteligjencë artificiale ndërvepruese në një gamë të gjerë industrish, përfshirë shoqëritë e mediave sociale, bankat dhe institucionet financiare, entitetet e tregtisë elektronike dhe agjencitë e udhëtimeve.
Route Mobile Limited nuk është prezent, por realizon xhiro në Shqipëri nëpërmjet shërbimeve të telekomunikacionit të operatorëve me shumicë bazuar në terminimin / destinacionin e trafikut në Shqipëri.
Palët në transaksion plotësojnë kriteret e nenit 10 dhe 12 të ligjit nr. 9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe si rrjedhojë ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.