Rasti: Rasti i krijimit të një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota, TIMAK DEFENCE SHA, nga shoqëritë KAYO SHA dhe TIMAK SHPK.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 787 prot. i AK, datë 10.09.2025 “Njoftim në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e krijimit të një ndërmarrje të përbashkët me funksione të plota nga shoqëritë KAYO SHA dhe TIMAK SHPK.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Pala 1: KAYO SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: projektimin, prodhimin, riparimin, demilitarizimin, asgjësimin dhe tregtimin, brenda dhe jashtë vendit, të të gjitha llojeve të armëve ose pjesëve të armëve, përfshirë edhe armët ushtarake, të municioneve, të teknologjive dhe pajisjeve ushtarake, uniformat, mjetet, pajisjet dhe sistemet e armatimit e komunikimit si dhe çdo aktivitet të lidhur me këtë veprimtari, në funksion të politikave kombëtare të sigurisë e mbrojtjes dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake.

Pala 2: TIMAK SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: prodhimi, konvertimi dhe montimi i konstruksioneve metalike dhe plastike për të gjitha llojet e makinerive dhe automjeteve të ndryshme të automjeteve ushtarake, mjeteve për përdorim të veçantë si ambulancat, kamionët e zjarrfikësve, automjetet e pastrimit, automjetet për përdorim industrial dhe të tjera, pa përjashtim. Blerja dhe shitja e makinerive, pjesëve të këmbimit, pajisjeve, mjeteve shtesë dhe ndihmëse për të gjitha llojet e automjeteve. Ofrimi i ekspertizës dhe/ose shërbimeve profesionale në fushën e transportit rrugor. Ofrimi i shërbimeve të riparimit për automjete motorike dhe rimorkio. Dhënia e shërbimeve konsulente për biznese si dhe zbatimi i projekteve të zhvillimit për subjekte private, institucione qeveritare dhe institucione financiare, si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

Referuar pasqyrave financiare, shoqëria ka realizuar të ardhura gjatë vitit 2024.

Ndërmarrja  e përbashkët (JV): TIMAK DEFENCE SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: prodhimi ose përshtatja e mjeteve motorike te posaçme me një arkitekturë të hapur që lejon instalimin e sistemeve të armatimit, siç janë armët automatike, sistemet e artilerisë, pajisjet antidron, mbrojtje aktive e mjetit, pajisje për përdorim urban dhe çdo sistem tjetër që kërkohet nga forcat e armatosura apo struktura te tjera te sigurisë, për t’u përdorur nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, strukturat e sigurisë dhe të emergjencave civile dhe klientë të tjerë vendas apo ndërkombëtarë.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.

    Skip to content