Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr.508 prot., i AK, datë 24.07.2024, “Njoftim Përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të vetëm të shoqërisë VITA RES DOO nga shoqëria RAUCH Fruchtsäfte GmbH.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: Rauch Fruchtsäfte GmbH është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e themeluar sipas legjislacionit të Austrisë.
Rauch Fruchtsäfte GmbH është pjesë e grupit Rauch, i cili fokusohet në prodhimin dhe shitjen e pijeve, duke përfshirë marka si Happy Day, Bravo, Nativa ahd Rauch Icetea; aktivitete business-to-business, që përfshin prodhimin dhe shitjet e koncentrateve të lëngjeve të frutave dhe produkteve gjysëm të gatshme të blerësit ndërkombëtarë si dhe mbushje me porosi, duke u ofruar shërbime prodhuese të tjerë të pijeve duke mbushur kanaçe, PET (plastike), shishe qelqi dhe paketime kartoni për lëngje (si Tetra Pak).
Grupi Rauch nuk ka filiale të regjistruara në Shqipëri, por realizon të ardhura kryesisht nga shitja e lëngjeve të frutave nga të tretë.
Shitësit: z. T. K. dhe z. L. S., shtetas të Maqedonisë së Veriut.
Target : Shoqëri për Prodhim, Tregtim dhe Shërbime VITA RES DOO import-eksport Resnjë (VITA RES DOO), është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e themeluar sipas legjislacionit të Maqedonisë së Veriut. Shoqëria target ka si aktivitet kryesor: Prodhim të lëngjeve nga frutat dhe perimet.
VITA RES DOO nuk ka filiale të regjistruara në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.