Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 972 prot. i AK, datë 07.11.2025 “Njoftimi i Përqendrimit ndërmjet Volkswagen Aktiengesellschaft / Europcar Mobility Group S.A.”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të vetëm të shoqërisë Europcar Mobility Group nga shoqëria Volkswagen Aktiengesellschaft.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala 1: Volkswagen Finance Luksemburg S.A. (Volkswagen) është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas ligjeve të Luksemburgut, me objekt aktiviteti: pjesëmarrje në shoqëri vendase dhe të huaja, ose në shoqëri të çfarëdo lloji, si dhe të menaxhojë këto pjesëmarrje, të marrë pjesë në krijimin, zhvillimin, administrimin dhe mbikëqyrjen e çdo shoqërie ose ndërmarrje, etj.
Volkswagen Finance Luksemburg S.A., zotërohet tërësisht nga Volkswagen Aktiengesellschaft dhe është në pronësi të plotë të Grupit Volkswagen.
Grupi Volkswagen operon në Shqipëri përmes 2 filialeve të mëposhtme:
Porsche Leasing SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: veprimtari e qirasë financiare, agjent në sigurime.
Porsche Albania SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: shitje me shumicë dhe pakicë të automjeteve të të gjitha llojeve, pjesëve dhe aksesorëve të tyre, kryerje e riparimeve të të gjitha llojeve të automjeteve, përfshirë montimin e automjeteve të përfunduara, modifikim i automjeteve dhe prodhim i pjesëve dhe aksesorëve, etj.
Pala 2: Gilpin Investments Designated Activity (Attestor) është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas ligjeve të Irlandës, me aktivitet të përcaktuar në përputhje me ligjin irlandez “Për Shoqëritë Tregtare”.
Pala 3: Pon Holdings B.V. është një shoqëri e themeluar, sipas legjislacionit Holandez. Pon Holdings B.V. është një konglomerat shumëkombësh holandez në pronësi familjare me seli në Amsterdam.
Pala 4: Pon Europe B.V. është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit Holandez dhe regjistruar në regjistrin tregtar holandez.
Shoqëria: Green Mobility Holding S.A. është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit të Luksemburgut, me objekt aktiviteti: pjesëmarrëse në shoqëri vendase dhe të huaja, ose në shoqëri të çfarëdo lloji, si dhe të menaxhojë këto pjesëmarrje. Shoqëria mund të blejë aksione, kuota dhe tituj të tjerë, obligacione të pasiguruara, certifikata depozite dhe instrumente të tjera borxhi përmes nënshkrimit, blerjes, këmbimit, dhe në përgjithësi të gjithë titujt dhe instrumentet financiare që emetohen nga subjekte ligjore publike ose private, etj.
Target: Europcar Mobility Group S.A. është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit të Francez, me objekt aktiviteti: Çdo pjesëmarrje ose interesa për të gjithë personat juridikë francezë ose të huaj si dhe të gjitha aktivitetet që mund të ushtrohen nga një shoqëri holding – pjesëmarrja e shoqërisë, me të gjitha mjetet, me të gjitha operacionet që mund të lidhen me objektin e saj ose me anë të krijimit të shoqërive të reja, etj., në kuptim të nenit L 511-7 i njohur si Kodi Monetar dhe Financiar.
Grupi Europcar Mobility nuk ka asnjë filial të regjistruar në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
