Rasti: Përftimi i kontrollit të përbashkët përbashkët, indirekt, i shoqërisë Retail Park Shkodra SHPK nga shoqëritë CEE – BIG B.V. dhe Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK.

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 597 prot., i AK datë 23.06.2025 “Njoftim për dorëzimin e dokumentacionit të përqendrimit _BALFIN_BIG”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar ndërmjet palëve Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK dhe CEE – BIG B.V. për përftimin e kontrollit të shoqërisë Retail Park Shkodra SHPK

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Pala blerëse: CEE – BIG – BALFIN Holding Development Ltd. është një shoqëri investuese mbajtëse, e themeluar sipas legjislacionit të Hungarisë, e cila zotërohet bashkërisht nga Balfin dhe CEE – BIG, me qëllim zhvillimin, pronësinë dhe administrimin e investimeve në parqe tregtare në Shqipëri.

Balfin – Balkan Finance Investment Group SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, e angazhuar kryesisht në shitjen me pakicë, pasuritë e paluajtshme, veprimtarinë minerare dhe shërbimet bankare.

CEE – BIG B.V. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Holandës dhe përfaqëson degën evropiane të grupit izraelit BIG Shopping Centers Ltd.

Shoqëria target: Retail Park Shkodra SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti parësor zhvillimi dhe dhënia me qira e hapsirave për shitje me pakicë dhe shërbime komerciale në një format të konceptuar si “retail park”. Këto parqe tregtare përbëhen nga njësi komerciale të cilat do t’u jepen me qira operatorëve të pavarur të shitjes me pakicë përmes marrëveshjeve të posaçme të qirasë. Retail Park Shkodra është shoqëria e parë që do të kontrollohet nga CEE – BIG – BALFIN Holding Development Ltd. dhe përfaqëson projektin e parë konkret të zbatuar në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Balfin dhe BIG.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.