Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 340 prot. i AK, datë 19.06.2023 “Shkresë përcjellëse për depozitimin e një njoftimi përqendrimi si konsultim paraprak”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me krijimin e një ndërmarrje të përbashkët / joint – venture, me funksione të plota, nga shoqëritë Volvo Business Services International AB dhe Renault s.a.s.
Referuar “Marrëveshjes Kuadër në lidhje me FlexEco” dhe Shtojcës “Marrëveshje për Sipërmarrjen e përbashkët”, palët në transaksion janë:
Pala 1: Volvo Business Services International AB është një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, holding, e themeluar sipas legjislacionit të Suedisë, e kontrolluar plotësisht nga AB Volvo.
AB Volvo është një shoqëri multinacionale, aktive në prodhimin dhe shitjen e kamionëve për asfalt apo terren të pashtruar, autobusëve, makinerive të ndërtimit, motorëve për mjete detare, motorëve industrialë për makineri për lëvizje në terren të pashtruar dhe gjeneratorë, si dhe motorëve për automjete për rrugë të asfaltuara.
Grupi Volvo nuk ka filial të regjistruar në Shqipëri por gjeneron xhiro nëpërmjet shitjeve të realizuara.
Pala 2: Renault s.a.s është një shoqëri aksionare e thjeshtuar, e themeluar sipas legjislacionit francez, me objekt aktiviteti: industria, tregtia e automjeteve, të gjitha shërbimet e lidhura, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo nëpërmjet shoqërive të tjera, administrimi i titujve (tituj pjesëmarrje dhe vendosjeje) dhe çdo veprimtari financiare, imobiliare apo tregtare lidhur me to.
Renault s.a.s kontrollohet 100% nga Renault S.A. pjesë e Grupit Renault.
Renault s.a.s nuk është prezente dhe nuk realizon xhiro në Shqipëri.
Ndërmarrja e Përbashkët (JV), FlexEco SAS është një shoqëri aksionare e thjeshtuar, e themeluar sipas legjislacionit francez, me aktivitet kryesor: zotërimi dhe menaxhimi i pjesëmarrjes në shoqëri të tjera që ushtrojnë aktivitetin e tyre në fushën e automobilistikës ose në fusha të tjera. FlexEco SAS nuk është prezente dhe nuk realizon xhiro në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të Ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me fax (Nr. 0355 4 2234 497), me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.