Në datën 09 Mars 2022 Autoriteti i Konkurrencës ka dhënë një sqarim në lidhje me interesin e disa mediave dhe organizatave jo fitim prurëse nisur nga shqetësimi publik për lëvizjen e çmimeve në tregun e karburanteve. Duke e konsideruar me interest të lartë për çdo qytetar këtë çështje, sqarimi në fjalë, po botohet si më poshtë vijon për publikun:
Autoriteti i Konkurrencës tashmë prej disa javësh ka vendosur tregun e karburanteve nën monitorim dhe, që nga data 25. 02.2022, me Vendimin nr. 866 të Komisionit të Konkurrencës “Për hapjen e procedurës së hetimit paraprak në tregun e tregtimit me shumicë të karburantit naftë dhe benzinë”, ka nisur dhe hetimin, duke qenë se jo vetëm ndajmë të njëjtin shqetësim me ju lidhur me mirëqenien e konsumatorit por dhe si shkak I detyrimeve ligjore të funskionimit të Autoritetit.
Prandaj, në vijim të këtij hetimi Autoriteti i Konkurrencës, do të marrë çdo masë që i mundëson ligji nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, për të goditur çdo fenomen që shtrembëron konkurrencën, nëse do verifikohen të tilla pas procedures hetimore.
Përfitojmë nga rasti të ritheksojmë, se qëllimi i legjislatorit shqiptar kur krijoi Autoritetin e Konkurrencës, me ligjin nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, ishte dhe mbetet “mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, duke përcaktuar rregullat e sjelljes së ndërmarrjeve, si dhe institucionet përgjegjëse për mbrojtjen e konkurrencës dhe përgjegjësitë e tyre”.
Ndonëse “mbrojtja e konsumatorit” nuk përmendet asnjëherë si tog-fjalësh në ligjin “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ne besojmë, se përmes zbulimit e ndalimit të marrëvëshjeve, që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë çmimet e blerjes ose të shitjes, kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, apo duke ndaluar abuzimin me pozitën dominuese në treg të ndërmarrjeve, të cilat vendosin çmime të padrejta, Autoriteti i Konkurrencës kontribuon indirekt në mbrojtjen e konsumatorit.
Ne jemi të vetëdijshëm dhe e kuptojmë, se në këto periudha krizash të njëpasnjëshme, pa marrë parasysh arsye objektive, kryesisht qytetarët, por edhe politikanët, pretendojnë nga autoritetet që të ndërhyjnë dhe të ulin çmimet, por në lidhje me Autoritetin e Konkurrencës këto pretendime janë të arsyeshme vetëm nëse ndërmarrje të caktuara spekulojnë me çmimet duke shtrembruar konkurrencën.
Sidoqoftë, në botën moderne, ka fare pak autoritete konkurrence, të cilat janë ngarkuar nga ligji, e si rrjedhim, kanë edhe instrumente për të ndikuar mbi çmimet abuzive, kur ngritja e çmimeve nuk ka lidhje me konkurrencën. Edhe emërtesa e tyre është “Autoriteti i Konkurrencës dhe i mbrojtjes së konsumatorit”.
Nga ana tjetër, shumica e autoriteteve të konkurrencës në botë, ndërmjet tyre edhe Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës, nuk janë projektuar ligjërisht për të luftuar çmimet abuzive në vetvete, kur këto çmime nuk janë pasojë e: 1) shfrytëzimit të pozitës dominuese në treg të një a më shumë ndërmarrjeve (p.sh. sepse kanë licenca ekskluzive); apo 2) marrëveshjeve të ndaluara. Pra, duhet me patjetër që të provohet abuzimi me pozitën dominuese dhe jo thjesht abuzimi, që Autoriteti i Konkurrencës të ketë mundësi ligjore të ndërhyjë; duhet me patjetër të provohet se mes ndërmarrjeve në një treg të caktuar ka një marrëveshje të ndaluar apo sjellje të bashkërenduar për të ngritur (apo edhe ulur) çmimet në mënyrë abuzive (të padrejtë), që Autoriteti i Konkurrencës të ketë mundësi ligjore të ndërhyjë. Në çdo rast, për të risjellë konkurrencën (jo çmimet si qëllim në vetvete) në parametra efektive.
Raste të tilla nqs evidentohen do të goditen me të tërë ashpërsinë që ligji nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, parashikon. Në të njëjtën kohë, disa nga kërkesat tuaja, vlerësojmë se duhet ti drejtohen institucioneve të tjera që kanë lidhje me mbrojtjen e konsumatorit dhe të cilat zotërojnë mekanizmat ligjore për të reaguar direkt ndaj fenomenit të abuzimit me çmimet në tregje.
Shumica absolute e autoriteteve të konkurrencës nuk kanë as hapësirën ligjore, por as burimet njerëzore, ekspertizën përkatëse dhe informacionin e përditshëm e të gjithanshëm për të qenë edhe autoritet për rregullimin e çmimeve. Çfarë mbetet të bëjnë autoritetet e konkurrencës në pamundësi për të rregulluar çmimet e padrejta, është transparenca me publikun, gjë për të cilën Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës është plotësisht i përkushtuar. Ne, më së paku do të bëjmë publike të gjitha gjetjet tona në përfundim të hetimit që kemi nisur, dhe më së shumti, do të ndëshkojmë përmes gjobave çdo abuzues të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, i ndryshuar, nëse provohet shtrembërim i konkurrencës. Sjellim në vëmendjen tuaj, se hetimet e Autoritetit të Konkurrencës kërkojnë kohën e tyre, pasi janë procese të komplikuara marrje, kryqëzimi e analizimi të dhënash të shumta e specifike, në mënyrë që vendimi të jetë i bazuar në ligj dhe prova. Akoma më tej, vendimi në fjalë do t’i nënshtrohet edhe procesit gjyqësor, që do kërkojë kohën e vet. Sa më i bazuar në ligj dhe prova një vendim i Autoritetit të Konkurrencës, aq më e vështirë do të jetë për abuzuesit, të ankimojnë dhe të rrëzojnë vendimet e Autoritetit në gjykatë. Zgjatja në kohë është edhe një nga arsyet përse legjislacioni në Shqipëri dhe në shumicën e vendeve të botës nuk i ka ngarkuar autoritetet e konkurrencës edhe me kompetencën e rregullimit të çmimeve.
Në këto raste, kur përmes legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës është e pamundur ndërhyrja për rregullimin e çmimeve, shtetet moderne, të quajtura edhe si “shtete të mirëqenies sociale”, kanë adoptuar me legjislacion instrumenta të tjera që sigurojnë stabilizimin e përkohshëm të disa çmimeve, veçanërisht ato që konsiderohen si “të shportës” e që janë tepër të ndjeshme për qytetarët, apo për subvencionimin e disa shërbimeve publike për shtresat në nevojë.
Ndaj, disa nga kërkesat tuaja mund e duhet të adresohen, e me gjasë të gjejnë zgjidhje, pranë institucioneve të tjera publike, pasi në respekt të instrumentave që ligji na ka dhënë, për sa i përket mbrojtjes së konsumatorit, vendimet e Autoritetit të Konkurrencës, të cilat duhet të jenë të bazuara në ligj e prova (që t’iu qendrojnë edhe ankimeve në gjykatë), i japin efektet e tyre të shtrira në kohë.
Autoriteti I Konkurrencës në respekt të zbatimit të ligjit, do të trajtojë çdo rast në përputhje me procedurat dhe afatet detyruese ligjore.