Memorandum Mirekuptimi mes Autoritetit te Konkurrences dhe Bankes se Shqiperise.

Në  datën 17.07.2007, në mjediset e Bankës së Shqipërisë, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit në fushën e mbrojtjes e konkurrencës së lirë dhe efektive në tregun bankar dhe financiar midis Bankës së Shqipërisë dhe Autoritetit të Konkurrencës. Memorandumi u nënshkrua nga z. Ardian Fullani, Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe zj. Lindita Milo (Lati), Kryetare e Autoritetit të Konkurrencës.    Memorandumi i krijon të dy institucioneve, hapësirën  e nevojshme që brenda kuadrit ligjor dhe rregullativ të rrisin bashkëpunimin e tyre të ndërsjelltë, duke shkëmbyer informacion dhe ekspertizë për të përmirësuar situatën aktuale në tregun bankar dhe financiar lidhur me shkallën e konkurrencës, si dhe për të shmangur rastet e kufizimit, të pengimit dhe të deformimit të konkurrencës në këtë treg.

Më konkretisht, nëpërmjet bashkëpunimit, palët synojnë marrjen e masave për të evidentuar dhe ndaluar kufizimet horizontale të konkurrencës (realizimin e marrëveshjeve për emimet e shërbimeve, normat e interesit, territorin e tregjeve etj.), kufizimet vertikale të konkurrencës (diskriminimin nëpërmjet normave të interesit për klientë të ndryshëm në të njëjtin treg, diskriminimin nëpërmjet kufizimeve dhe kërkesave specifike për garanci e kushte të tjera për klientë me kushte të njëjta, në një treg të ngjashëm etj.) si edhe për të shmangur abuzimin e mundshëm me pozitën dominuese në treg të një ose disa bankave. Banka e Shqipërisë vlerëson nënshkrimin e këtij memorandumi si një hap mjaft të rëndësishëm që do të ndikojë ndjeshëm në përmirësimin e kushteve të konkurrencës reale, në të cilat zhvillohet veprimtaria bankare dhe ajo financiare aktualisht. Është e rëndësishme të theksohet se konkurrenca e ndershme nxit rritjen e eficiencës në veprimtarinë bankare dhe përsos përbërjen dhe mënyrën e funksionimit të tregut bankar. Ky memorandum hyri në fuqi menjëherë pas nënshkrimit nga palët përkatëse.

Ankese

    Ruani Privatësin
    PoJo

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.