Denar Biba

Kryetar i Komisionit

Biografi

Z. Denar Biba është zgjedhur kryetar i Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës me Vendimin nr. 87/2021 datë 9.12.2021, të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Z. Biba është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (1999). Ai ka përfunduar studimet Master në “Studime të Evropës Juglindore” pranë Universitetit Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës, Greqi (2000). Që nga viti 2017, Z. Biba mban gradën shkencore “Dr.” në shkencat juridike, në fushën e së drejtës publike e kushtetuese.

Fillimet e tij kanë nisur pranë Ministrisë së Drejtësisë si specialist në Drejtorinë e Organizimit Gjyqësor dhe, në periudhën 2001-2002, si Shef i Sektorit të Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në këtë Drejtori.

Në periudhën 2002-2005, Z. Biba ka punuar si Drejtor i Drejtorisë së Marrëdhënieve me Publikun në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas si Këshilltar Juridik i trupës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në periudhën 2005-2010. Ai ka gjithashtu eksperiencë si ekspert i pavaruar në fushën e draftimit të akteve ligjore, ku ka qenë pjesë e grupit të ekspertëve ndërkombëtarë për hartimin e legjislacionit për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Në vitin 2009, Z. Biba ka qenë stazhier pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg të Francës, dhe në periudhën 2011-2012 ka punuar si Ndihmës Ligjor në Gjykatën e Lartë. Në periudhën 2016-2017, Z. Biba është zgjedhur Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai ka një eksperiencë të gjatë profesionale pranë këtij institucioni, ku ka ushtruar gjithashtu funksionin e Zëvendëskryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në periudhat 2012-2013, 2015-2016, dhe 2017-2020.

Në vitet 2013-2014, ai ka mbajtur detyrën e Kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik. Z. Biba, që nga viti 2001 e në vazhdim, ka një kontribut akademik afatgjatë me punësimin e tij, fillimisht si Lektor pranë Fakultetit të Shkencave Sociale në Universitetin e Tiranës, në vitet 2001- 2004, dhe më pas si Lektor i të drejtës kushtetuesë pranë universiteteve jopublike “Luarasi”, “Universiteti Europian i Tiranës”, dhe “Illyria”, përgjatë viteve 2003-2020.

Ai ka punuar dhe si ekspert pranë Shkollës së Magjistraturës, në periudhën 2018-2019. Në karrierën e tij profesionale, Z. Biba ka ushtruar funksionin e zyrtarit ndërlidhës të Gjykatës Kushtetuese të RSH me Komisionin e Venecias, si dhe ka përfaqësuar këtë institucion në grupin task-forcë të qeverisë shqiptare në procedurat dhe negociatat për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE.

Ai gjithashtu ka përfaqësuar Ministrinë e Drejtësisë në grupe të ndryshme të punës për ratifikime të rëndësishme legjislative në Shqipëri dhe po ashtu, Republikën e Shqipërisë në Mekanizmin e Moskës. Z.Biba ka kontribuar gjerësisht në fushën e jurisprudencës shqiptare me publikimin e librave, studimeve, artikujve shkencorë e publicistikë, si dhe ka qënë pjësëmarrës në shumë trajnime ndërkombëtare.

Ankese

    Ruani Privatësin
    PoJo

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.