Rasti:Përftimi i kontrollit të Veprimtarisë Ekonomike të rrjetit farmaceutik nën emrin tregtar “Farma Net Albania” nga shoqëria DITË E NATË SHPK.

Autoriteti i Konkurrencës, me shkresën nr. 220 prot., i AK datë 13.02.2025 “Shkresë Përcjellëse”, është njoftuar në lidhje me transaksionin e transferimit të Veprimtarisë Ekonomike të rrjetit farmaceutik nën emrin tregtar “Farma Net Albania” tek shoqëria DITË E NATË SHPK.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:

Pala blerëse: DITË E NATË SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: tregtim medikamentesh, suplementesh, shtesash ushqimore, produkte kozmetike dhe medikal device me pakicë etj.

Pala Shitëse:

  • Farma Net Albania SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: import-eksport, ruajtje, shpërndarje, shitje me shumicë e pakicë e artikujve farmaceutikë dhe parafarmaceutikë, barnave narkotike dhe psikotrope, produkteve dhe shtesave ushqimore me origjinë shtazore, produkteve bimore, produkte kozmetike, bimëve medicinale, pajisjesh dhe materiale mjekësore, dentare, laboratorike, reagenteve dhe kiteve; servis, instalim dhe mirëmbajtje pajisjesh mjekësore, pajisjesh dentare; restaurim dhe mirëmbajtje e veprave të artit, pasurive kulturore dhe artistike përfshirë ruajtjen e tyre etj.
  • SensiBlu SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti farmaci, ku kryhet furnizimi, ruajtja, përgatitja, ambalazhimi, paketimi, kontrolli, dhënia e barit dhe informacionit për përdorimin e tij, si dhe shërbime të tjera të kujdesit shëndetësor.
  • AL SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, me objekt aktiviteti: tregtim me pakicë i barnave, medikamenteve e produkteve farmaceutike të të gjitha llojeve, të artikujve kozmetikë dhe suplementeve ushqimore; laborator mjekësor, laborator klinik biokimik, mikrobiologjik dhe gjenetik, analiza klinike, biologji molekulare, gjenetike, biokimike, imunologjik, hormonale. Shitja me shumicë dhe pakicë e produkteve kozmetike, suplementeve ushqimore, vitaminave, importi dhe shitja me shumicë e pakicë e pajisjeve mjekësore etj.

Target: Veprimtaria Ekonomike e njësive farmaceutike nën emrin tregtar Farma Net Albania që do të përfshijë të gjitha Pajisjet dhe Aktivet e luajtshme si Asetet, Inventarët; Të drejtat e Pronësisë Intelektuale; Klientët; Kontratat e Transferuara; Punëmarrësit dhe Detyrimet. Në kushtet në të cilat transferohen, këto Aktive, Punëmarrës dhe Detyrimet janë në gjendje të vazhdojnë veçmas një veprimtari ekonomike të pavarur.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.