Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 862 prot. i AK, datë 30.09.2025, “Njoftim përqendrimi”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar të përftimit të kontrollit të vetëm të shoqërisë Nidda German Topco GmbH nga shoqëria Saxophone Germany BidCo GmbH.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: Saxophone Germany BidCo GmbH është një shoqëri holding, e themeluar sipas legjislacionit gjerman për qëllimet e realizimit të transaksionit duke mos patur asnjë aktivitet operativ të vetin dhe duke mos gjeneruar as xhiro.
Kjo shoqëri kontrollohet indirekt nga CapVest Partners LLP.
CapVest është një firmë kapitali privat në tregun e mesëm, e fokusuar në industri shumë elastike, ku nxitësi i kërkesës për produktin ose shërbimin nuk është diskrecionar.
CapVest dhe fondet e saj që menaxhon dhe/ose këshillon nuk kanë filiale apo zyra përfaqësimi në Shqipëri. Në vitin 2024, vetëm një shoqëri e portofolit të kontrolluar nga CapVest gjeneroi xhiro në shtetin shqiptar.
Shitësi: Nidda MidCo S.á.r.l. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar dhe ekzistuese sipas ligjeve të Luksemburgut.
Shoqëria Target: Nidda German Topco GmbH është një shoqëri e themeluar sipas legjislacionit gjerman, shoqëri holding e Grupit STADA.
Grupi STADA është aktiv në industrinë farmaceëutike me prani lokale në të gjitha tregjet kryesore evropiane, si dhe në tregjet në rritje në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut, Azi dhe Australi. Ai ofron një portofol të larmishëm produktesh për një gamë fushash terapeutike.
Grupi STADA nuk ka filiale apo zyrë përfaqësimi në Shqipëri por ka realizuar të ardhura për vitin 2024 nëpërmjet tre distributorëve ekskluzivë për pjesë të caktuar të portofolit.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
