Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr.966 prot., i AK, datë 06.11.2025, “Konfirmim i Depozitimit të Dokumenteve”, ku jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të shoqërive N7 Defence Holding Zártkörűen Működő Részvénytársaság, VAB Korlátolt Felelősségű Társaság, Hirtenberger Defence Systems Védelmi Ipari Korlátolt Felelősségű Társaság nga shoqëria 4iG Űr és Védelmi Technológiák Zártkörűen Működő Részvénytársaság.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Blerësi: 4iG Űr és Védelmi Technológiák Zártkörűen Működő Részvénytársaság /4iG Űr és Védelmi Zrt. (4iG SDT) është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, aktive në sektorin e mbrojtjes dhe të teknologjisë së lartë, duke u fokusuar në zhvillimin dhe prodhimin e sistemeve mbrojtëse, teknologjive ushtarake dhe zgjidhjeve për teknologjinë hapësinore. Gjithashtu, shoqëria është e angazhuar në shërbime të teknologjisë së informacionit dhe telekomunikacionit, si dhe në investime strategjike në industri të teknologjisë së lartë dhe të lidhura me mbrojtjen.
Kjo shoqëri është pjesë e grupit 4iG. Grupi 4iG është prezent në Shqipëri nëpërmjet shoqërisë ONE ALBANIA SHA.
Shitësi: N7 HOLDING NEMZETI VÉDELMI IPARI INNOVÁCIÓS Zártkörűen Működő Részvénytársaság/ N7 HOLDING është një shoqëri aksionare e mbyllur, e themeluar sipas legjislacionit të Hungarisë, me seli në Budapest.
Shoqëria Target 1: N7 Defence Holding Zártkörűen Működő Részvénytársaság/N7 Defence Holding Zrt. është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, në pronësi të plotë të N7 Holding.
Shoqëria Target 2: VAB Korlátolt Felelősségű Társaság/VAB Kft. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, aktive në menaxhimin e projekteve në ndërtim dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme, në pronësi të plotë të N7 Holding.
Shoqëria Target 3: Hirtenberger Defence Systems Védelmi Ipari Korlátolt Felelősségű Társaság/ Hirtenberger Defence Systems Kft. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit hungarez, i njohur për zhvillimin dhe prodhimin e sistemeve të artilerisë së lehtë dhe municioneve, si dhe sistemeve digjitale të kontrollit të zjarrit dhe shënjestrës. Kjo shoqëri është e përfshirë në sektorin hungarez të industrisë së mbrojtjes dhe mbështet kapacitetet “end-to-end” të grupit ndërkombëtar, duke përfshirë prodhimin, integrimin e sistemeve dhe kërkim-zhvillimin (R&D) për sistemet e armëve me zjarr indirekt.
Hirtenberger Defence Systems Kft. është në pronësi të plotë të shoqërisë N7 Holding.
N7 Holding ushtron funksionin e një shoqërie holding për industrinë e mbrojtjes, me qëllim konsolidimin, koordinimin dhe administrimin e aseteve dhe aktiviteteve strategjike të industrisë së mbrojtjes brenda Hungarisë. N7 Holding mbështet strategjinë kombëtare të industrisë së mbrojtjes dhe ushtron të drejtat e pronësisë në kompani kyçe të sektorit të mbrojtjes.
N7 dhe shoqëritë e zotëruara prej saj nuk janë aktive në asnjë treg në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
