Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 454 prot. i AK, datë 07.05.2025 “Njoftim përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të vetëm të shoqërisë TURE d.o.o. nga shoqëria ORVAS d.o.o.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: ORVAS d.o.o. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Republikës së Kroacisë, e cila operon në fushën e aktiviteteve të agjencive turistike në Kroaci, duke përfshirë marrjen me qera të varkave me vela, varka me motor dhe katamaranë. Ajo gjithashtu operon në fushën e ofrimit të akomodimit në hotel dhe vila turistike në ishujt Hvar dhe Brač.
ORVAS d.o.o. është në pronësi dhe kontrollohet plotësisht nga ORBICO d.o.o., shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Kroacisë, me objekt aktiviteti: blerja dhe shitja e mallrave, kryerja e ndërmjetësimit tregtar në tregun e brendshëm dhe të huaj, përfaqësimi i kompanive të huaja, transporti rrugor i mallrave, transporti i mallrave në trafikun ndërkombëtar, reklamim, tregtia me shumicë e produkteve mjekësore, prodhimi i produkteve të kremrave, prodhimi dhe shpërndarja e gazit, biznesi i pasurive të paluajtshme, etj.
ORBICO d.o.o. së bashku me filialet e saj të kontrolluara përbëjnë “ORBICO GROUP”, i cili është prezent në Shqipëri përmes filialit të tij ORBICO SHPK, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, e cila operon si shoqëri shpërndarje dhe logjistike, që mbulon një numër të madh markash të njohura globalisht, duke filluar nga produktet e kujdesit të lëkurës dhe bukurisë, produktet ushqimore dhe jo-ushqimore, pajisjet teknike dhe elektrike, deri te produktet farmaceutike, cigaret, si dhe produktet e vajit motorik.
Pala shitëse: : I. B., shtetas i huaj.
Shoqëria Target: TURE d.o.o. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit kroat, e cila operon në fushën e ofrimit të shërbimeve të akomodimit në hotel në Kroaci. Ajo ofron akomodim në hotelin e saj Hotel Lipa në Brač.
Target nuk është prezent dhe nuk gjeneron të ardhura në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.