Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 403 prot. i AK, datë 11.04.2025 “Depozitimi i Njoftimit për përqendrim në lidhje me fitimin e kontrollit të vetëm dhe të drejtpërdrejtë nga Orvas tek Kanarija”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit të vetëm mbi të gjitha aksionet e shoqërisë KANARIJA, d.o.o. nga shoqëria ORVAS d.o.o.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: ORVAS d.o.o. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Republikës së Kroacisë, e cila operon në fushën e aktiviteteve të agjencive turistike në Kroaci, duke përfshirë marrjen me qera të varkave me vela, varka me motor dhe katamaranë. Ajo gjithashtu operon në fushën e ofrimit të akomodimit në hotel dhe vila turistike në ishujt Hvar dhe Brač. Përveç kësaj, ORVAS është e angazhuar në prodhimin e verës dhe vajit të ullirit si një aktivitet dytësor biznesi.
ORVAS d.o.o. është në pronësi dhe kontrollohet plotësisht nga ORBICO d.o.o., shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Kroacisë, me objekt aktiviteti: Blerja dhe shitja e mallrave, kryerja e ndërmjetësimit tregtar në tregun e brendshëm dhe të huaj, përfaqësimi i kompanive të huaja, transporti rrugor i mallrave, transporti i mallrave në trafikun ndërkombëtar, reklamim, tregtia me shumicë e produkteve mjekësore, prodhimi i produkteve të kremrave, prodhimi dhe shpërndarja e gazit, biznesi i pasurive të paluajtshme, etj.
ORBICO d.o.o. së bashku me filialet e saj të kontrolluara përbëjnë “ORBICO GROUP”, i cili është prezent në Shqipëri përmes filialit të tij ORBICO SHPK, një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, e cila operon si shoqëri shpërndarje dhe logjistike, që mbulon një numër të madh markash të njohura globalisht, duke filluar nga produktet e kujdesit të lëkurës dhe bukurisë, produktet ushqimore dhe jo-ushqimore, pajisjet teknike dhe elektrike, deri te produktet farmaceutike, cigaret, si dhe produktet e vajit motorik.
Pala shitëse: S. Š, shtetase e huaj.
Shoqëria Target: KANARIJA, d.o.o. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Republikës së Kroacisë, e cila ofron shërbime në sektorin detar në Kroaci. Qëllimi i aktivitetit të saj përfshin transportin detar dhe bregdetar, marrjen me qira të automjeteve të transportit ujor, transportin për nevojat e veta, shërbimet e menaxhimit, ankorimin e anijeve turistike, si dhe mirëmbajtjen dhe riparimin e anijeve dhe mjeteve të tjera lundruese. Target është i angazhuar në dhënien me qira të ambienteve tregtare në Kroaci.
KANARIJA, d.o.o. nuk kryen asnjë aktivitet tregtar në Shqipëri dhe nuk ka shoqëri apo asete të lidhura në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.