Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 385 prot. i AK, datë 07.04.2025 “Njoftim përqendrimi përfundimtar dhe kërkesë për autorizim të përqendrimit”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin e kontrollit mbi të gjitha kuotat e shoqërisë Greenlink (Luxembourg) S.á.r.l. nga shoqëria SustainLink SARL.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Pala blerëse: SustainLink SARL është një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, e organizuar sipas ligjeve të Dukatit të Madh të Luksemburgut. Blerësi është një shoqëri e sapokrijuar e themeluar për qëllimet e këtij transaksioni, e cila ka për objekt aktiviteti: Të përvetësojë interesa, si në Luksemburg ashtu dhe jashtë tij, në çdo shoqëri apo ndërmarrje të çfarëdo forme, dhe të menaxhojë këto interesa. Kapitali i shoqërisë blerëse zotërohet 33% nga ortaku Baltic Cable AB një shoqëri e regjistruar në regjistrin tregtar të Suedisë, e angazhuar në transmetimin e energjisë dhe 67% dhe nga ortaku Equitix Murphy Bidco Limited një shoqëri e regjistruar në Angli dhe Uells.
-Baltic Cable AB është në pronësi të Grupit Statkraft dhe pronari i vetëm i interkoneksionit nënujor 600 MW HVDC Baltic Cable që lidh tregjet gjermane dhe suedeze të energjisë elektrike (DE/LU-SE4).
Grupi Statkraft është i pranishëm në Shqipëri, nëpërmjet filialeve të zotëruara tërësisht nga shoqëria Statkraft Markets B.V: Statkraft Renewables Albania SHPK dhe Devoll Hydropower SHA.
-Equitix Murphy Bidco Limited është një investitor, zhvillues dhe menaxhues afatgjatë i fondeve të infrastrukturës bazë dhe aseteve të efiçencës së energjisë. Equitix Group menaxhon disa fonde infrastrukturore, fonde të shumta bashkë-investimesh, të cilat janë të dedikuara për projekte më të mëdha infrastrukturore dhe një numër llogarish të ndara të menaxhuara që ofrojnë zgjidhje të personalizuara.
Pala shitëse:
Shitësit institucional
1.Partners Group Greenlink Access 1, L.P.; 2.Partners Group Greenlink Access 2 L.P.; dhe 3.Partners Group Greenlink Access 3 L.P. janë shoqëri komandite, të themeluara sipas legjislacionit të Skocisë , me objekt aktiviteti: Realizimi në Skoci dhe në vende të tjera mbi biznesin e kryerjes së investimeve në kapital privat, borxh privat, pasuri të paluajtshme ose një klasë tjetër aktivesh, siç mund ta gjykojë ortaku i përgjithshëm i partneritetit.
Shitësit menaxhues
1.Oweca B.V., është një shoqëri private me përgjegjësi të kufizuar, themeluar sipas legjislacionit të Hollandës, me objekt aktiviteti: Zotërimet financiare.
2.Padraig McManus, shtetas me vendndodhje në Irlandë.
3.John Shine, shtetas me vendndodhje në Irlandë.
Target: Greenlink (Luxembourg) S.á.r.l. është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit të Luksemburgut me objekt aktiviteti: të veprojë si një shoqëri investimi dhe të koordinojë veprimtarinë e të gjitha subjekteve korporative në të cilat shoqëria ka një interes të drejtpërdrejtë ose të tërthortë dhe të blejë (qoftë me abonim fillestar, tender, blerje, shkëmbim ose ndryshe), të gjitha ose çdo titull, aksione, detyrime, obligacione dhe tituj të tjerë të emetuara ose të garantuara nga çdo person dhe instrumente të tjera, si dhe të mbajë instrumente të tilla si investime dhe ti shesë, këmbejë dhe disponojë ato; të kryejë çdo veprimtari tregtare ose biznes të çdo lloji; etj.
Target është pronar i një kablloje ndërlidhëse të energjisë elektrike nënujore dhe nëntokësore (me stacionet e ndërlidhura të konvertimit) që lidh rrjetet ekzistuese të energjisë elektrike në Irlandë dhe Britaninë e Madhe), me një kapacitet nominal prej 504 MW.
Greenlink (Luxembourg) S.á.r.l. si një shoqëri holding, zotëron filialet: (i) Greenlink Interconnector Group Holdings Limited; (ii) Greenlink Interconnector Holdings Limited; (iii) Greenlink Interconnector Financing Limited; (iv) Greenlink Interconnector Trading Limited; (v) Greenlink Interconnector Limited dhe (vi) Greenlink Developments Limite.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.