Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr. 701 prot. i AK, datë 01.08.2025 “Njoftim përqendrimi”, me të cilën jemi njoftuar në lidhje me transaksionin e propozuar mbi përftimin të kontrollit të përbashkët të shoqërisë TECHBAU GREEN ENERGY S.R.L. nga shoqëritë EURIZON CAPITAL REAL ASSET SOCIETA’ DI GESTIONE DEL RISPARMIO S.P.A. dhe ERSEL ASSET MANAGEMENT SOCIETA’ DI GESTIONE DEL RISPARMIO S.P.A.
Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në transaksion janë:
Investitori 1: EURIZON CAPITAL REAL ASSET SGR S.P.A. është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit italian, me objekt aktiviteti: menaxhimi i entiteteve të investimit kolektiv të kursimeve alternative dhe rreziqet përkatëse si dhe administrimit dhe tregtimi i tyre; ofrimi i shërbimeve të Menaxhimit të Portofoleve; ofrimi i shërbimeve ndihmëse si dhe kryerja e veprimtarive përkatëse dhe instrumentale, të parashikuara nga legjislacioni në fuqi në mënyrë të vazhdueshme. EURIZON CAPITAL REAL ASSET SGR S.P.A. krijon dhe menaxhon Fonde Alternative Investimesh (FAI) për investitorë institucional, zyra familjare dhe individë me pasuri të lartë neto[1].
EURIZON CAPITAL REAL ASSET SGR S.P.A. është në pronësi të plotë të EURIZON CAPITAL SGR S.P.A. dhe është pjesë e Grupit Intesa Sanpaolo Bank, grup i cili është i pranishëm në Shqipëri përmes filialit të zotëruar tërësisht prej tij INTESA SANPAOLO BANK ALBANIA SHA.
INTESA SANPAOLO BANK ALBANIA SHA është një bankë e nivelit të dytë, e cila u ofron kompanive, klientëve institucionalë e privatë si dhe klientëve individë shërbime e produkte bankare.
Investitori 2: ERSEL ASSET MANAGEMENT SOCIETA’ DI GESTIONE DEL RISPARMIO S.P.A. (ERSEL) është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit italian, me objekt aktiviteti menaxhimi i fondeve të përbashkëta italiane të harmonizuara të diferencuara sipas politikës së menaxhimit, tregut dhe letrave me vlerë, dy fonde pasurish të paluajtshme dhe një fond mbrojtës. ERSEL është një degë e Grupit Bankar Ersel.
Grupi Ersel nuk është aktiv dhe nuk gjeneron xhiro në Shqipëri.
Target: TECHBAU GREEN ENERGY S.R.L. (TBGE) është një shoqëri italiane, aktive në menaxhimin operacional të centraleve fotovoltaike të mesme – të mëdha në segmentin C&I (Komerciale dhe Industriale) dhe tregtuese e energjisë së prodhuar nga këto centrale. Aktualisht, Target menaxhon 13 centrale fotovoltaike të marra me qira me një kapacitet total të instaluar prej 24 MW.
TECHBAU GREEN ENERGY S.R.L. nuk është prezent dhe nuk realizon xhiro në Shqipëri.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin 10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.
Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.
Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.
Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.
[1] Burimi: Ekstrakti dhe Formulari i njoftimit të përqendrimit.