Rasti: Përftimi i kontrollit të përbashkët të shoqërisë NRG Power SHPK nga shoqëritë SUSTAINABLE ENERGY SOLUTIONS S.M.S.A. dhe DEPA Commercial S.A..

Pranë Autoritetit të Konkurrencës është protokolluar shkresa nr.721 prot., i AK, datë 12.08.2025, “Autorizimi i përqendrimit të realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të përbashkët të shoqërisë NRG Power SHPK nga shoqëritë SUSTAINABLE ENERGY SOLUTIONS S.M.S.A. dhe DEPA Commercial S.A. ”, nëpërmjet të cilës jemi njoftuar në lidhje me ndryshimin e kontrollit të shoqërisë NRG Power SHPK.

Referuar dokumentacionit të depozituar, palët në marrëveshje janë:

Blerësi 1: SUSTAINABLE ENERGY SOLUTIONS S.M.S.A.[1] (SENS), është një shoqëri anonime, e regjistruar sipas legjislacionit grek, e angazhuar në zhvillimin dhe operimin e projekteve te energjisë së rinovueshme dhe asaj konvencionale.

SENS është në pronësi të shoqërisë GEK TERNA S.A., shoqëria mëmë, përfundimtare e Grupit GEK TERNA. Grupit GEK TERNA, indirekt, zotëron 35% të kuotave në shoqërinë FIER THERMOELECTRIC SHA në Shqipëri.

Blerësi 2: DEPA Commercial S.A. (DEPA), është një shoqëri anonime, e themeluar dhe që vepron sipas legjislacionit të Greqisë, e angazhuar në furnizimin, shitjen me shumicë dhe tregtimin e gazit natyror, si dhe në furnizimin me pakicë të energjisë elektrike.

DEPA ka realizuar të ardhura në tregun shqiptar, nëpërmjet importit dhe eksportit të energji elektrike në dhe nga Shqipëria.

DEPA Commercial S.A. zotëron 35% të kuotave në shoqërinë FIER THERMOELECTRIC SHA në Shqipëri.

Shoqëria FIER Thermoelectric SHA është një shoqëri aksionare, e themeluar sipas legjislacionit shqiptar, i cili është pronar, titullar i licencës, zhvillues dhe operator i një termocentrali për prodhimin e energjisë me turbina me cikël të kombinuar prej rreth 170MW në Roskovec, pranë Fierit, Shqipëri që do të lidhet me sistemin e transmetimit të gazit të Trans Adriatic Pipeline AG.

Referuar pasqyrave financiare te vitit 2024, shoqëria  FIER Thermoelectric SHA nuk ka realizuar xhiro në tregun shqiptar.

Shitësi 1: z. L.Xh., shtetas shqiptar, zotërues i 55% të kapitalit të shoqërisë target.

Shitësi 1: z. K.M., shtetas shqiptar, zotërues i 45% të kapitalit të shoqërisë target.

Shoqëria Target: NRG Power SHPK është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, e themeluar sipas legjislacionit  shqiptar, me objekt aktiviteti: Tregtimi dhe furnizimi (duke përfshirë importin) e energjisë elektrike, gazit dhe çdo segmenti tjetër të sektorit të energjisë, në çfarëdo forme, duke përfshire telematiken, në Bursat Italiane të Energjisë Elektrike dhe në çdo burse tjetër të huaj të energjisë elektrike, si dhe tregtimi i Certifikatave Gjelbër dhe Bardhë dhe Certifikatat e Emisionit C02 (I ashtuquajturi “tregtimi i emetimeve”). Blerja e instrumenteve financiare derivativë në lidhje me secilin segment të sektorit energjetik ose produkt energjetik, megjithëse jo kryesisht të synuara për shitje tek publiku, me përjashtim të operacioneve të mbledhjes së kursimeve, të cilat janë të rezervuara për institucionet kreditore dhe financiare. Ofrimi i shërbimeve pas kontraktorit, si impiantet dhe teknologjia, me synimin për te optimizuar dhe racionalizuar konsumin e energjisë elektrike, duke përfshirë certifikimin dhe lëshimin e “Certifikatave te Bardha” dhe në çdo rast të gjitha aktivitetet për të cilat ESCO (“Shoqëria e Kursimit të Energjisë”) ka të drejte për të kryer. Ofrimi i shërbimeve të konsulencës dhe asistencës teknike lidhur me çështjet e energjisë elektrike, etj.

Referuar pasqyrave financiare te vitit 2024, shoqëria target nuk ka realizuar të ardhura që nga krijimi i saj.

Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenin  10 dhe 12 të ligjit, sipas të cilit duhet respektivisht të realizohet ndryshimi i qëndrueshëm i kontrollit si dhe të plotësohen kriteret e xhiros.

 Për sa më sipër, ky transaksion është objekt autorizimi nga Komisioni i Konkurrencës.

Autoriteti fton palët e interesuara, që brenda pesë ditëve nga shpallja e njoftimit, të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar.

Opinionet mund të dërgohen pranë Autoritetit të Konkurrencës me postë në adresën: Autoriteti i Konkurrencës, Rr. “Sami Frashëri”, Nr. 4, Kati IV Tiranë; apo me e-mail në adresën competition@caa.gov.al.     

[1] Sipas Ekstraktit shoqwria emertohet SUSTAINABLE ENERGY SOLUTIONS MONOPROSOPI SHOQËRI ANONIME dhe titull dallues SUSTAINABLE ENERGY SOLUTIONS

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.