Fjala e Kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, Znj. Latifi, në Raportimin Vjetor “Për veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2020 dhe prioritetet për vitin 2021” në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

Prof. Dr. Juliana Latifi

I nderuar Z. Kryetar,
Të nderuar anëtarë,

Viti 2020, për shkak të pandemisë Covid – 19, ka qenë sfidues për veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës. Nga ky këndvështrim, veprimtaria jonë ndërmjet të tjerash ka synuar në hetimin pa ndërprerje të tregjeve të ndryshme, të cilat vlerësohen me potencial të lartë spekulimi për shkak të pandemisë.

Në vazhdim po ndalem shkurtimisht me aktivitetin e Autoritetit të Konkurrencës gjatë vitit 2020.

Prioritet kryesor i punës sonë ka qenë ndjekja në vazhdimësi dhe plotësimi i të gjithë rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë me anë të Rezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019”.

Përfitoj nga rasti të njoftoj Kuvendin e Shqipërisë se të gjithë detyrat e vëna nga Kuvendi, janë trajtuar rast pas rasti dhe me përgjegjshmëri. Në përfundim të vitit 2020, konstatojmë se të gjithë rekomandimet janë adresuar në mënyrë shteruese, duke i përkthyer ato në një sërë vendimesh detyruese për një mori entesh, operatorësh dhe institucionesh të përfshira.

Në qendër të veprimtarisë së Autoritetit ka qenë monitorimi i tregjeve. Gjatë vitit 2020 janë realizuar 19 monitorime, nga të cilat 6 buronin nga vendimmarrja e Komisionit të Konkurrencës gjatë vitit 2019.

Fokus i monitorimeve kanë qenë tregje për një grup produktesh dhe shërbimesh që lidhen drejtpërdrejt me konsumatorët, midis të cilave:

– Tregu i importit, depozitimit, shitjes me shumicë të produktit gaz i lëngshëm (GLN);
– Tregu me pakicë i shërbimeve celulare;
– Tregu i shitjes me shumicë dhe me pakicë i materialeve paramjekësore;
– Tregu i prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto;
– Tregu i importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ;
– Sektori i arsimit të lartë.

Veprimtaria e AK, gjatë vitit 2020, ka pasur në fokus 3 (tre) shtyllat e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”:

I. Kontrolli i përqendrimeve është materializuar nëpërmjet vlerësimit të 27 rasteve, nga të cilat Komisioni i Konkurrencës ka autorizuar 19 prej tyre, ndërkohë që 8 raste nuk kanë përmbushur kriteret për t’u autorizuar nga KK. Nga autorizimi i përqendrimeve, AK ka derdhur në buxhet e shtetit shumën 12,410,000 lekë.

Nga përqendrimet e autorizuara rezulton se:

– 82% e rasteve janë transaksione që kanë ndodhur në tregun e jashtëm, 15 vendime autorizimi;
– 18% e rasteve janë transaksione që kanë ndodhur në tregun shqiptar, 4 vendime autorizimi.
– Tregu i telekomunikacionit

Përftimi i kontrollit të shoqërisë ABCom SHPK nga shoqëria Vodafone Albania SHA– KK, me vendimin nr. 676, datë 07.02.2020, vendosi të autorizojë me kushte dhe detyrime përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit të shoqërisë ABCom SHPK nga shoqëria Vodafone Albania SHA. Tregu përkatës në këtë transaksion u konsiderua tregu i komunikimeve elektronike në rrjetet e lëvizshme dhe tregu i komunikimeve elektronike në rrjetet fikse. Nga vlerësimi, u konkludua se ky transaksion nuk do të sillte krijim apo forcim të pozitës dominuese të shoqërisë Vodafone Albania SHA në tregjet e prekura, por duke qenë se shoqëria Vodafone Albania SHA siguronte pjesën më të madhe të të ardhurave nga shërbimet e komunikimeve elektronike dhe zotëronte pozitë dominuese në tregun e komunikimeve elektronike në rrjetin celular, vendimi u dha me kushte dhe detyrime.

Përftimi i kontrollit të shoqërisë ApNet SHPK nga shoqëria ABCom SHPK. Ky transaksion nuk shfaq shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese.

Tregu financiar

Përftimi i kontrollit të Regjistri Shqiptar i Titujve Alreg SHA nga shoqëria Banka Credins SHA. Ky transaksion nuk shfaqi shenja të kufizimit të konkurrencës në treg ose në një pjesë të tij në veçanti, si rezultat i krijimit ose forcimit të pozitës dominuese.

Tregu i infrastrukturës dhe shërbimeve të transportit ajror

Përftimi i kontrollit të Tirana International Airport SHPK nga Kastrati Group SHA

Duke qenë se shoqëria Kastrati Group SHA do të jetë zbatuese e kontratës së koncesionit për Aeroportin e Rinasit, KK vendosi që Kastrati Group SHA, në cilësinë e shoqërisë blerëse duhet të respektojë nenin 9 të ligjit nr. 9121/2003. AK do të monitorojë për një periudhë 1 (një) vjeçare sjelljen e ndërmarrjes në treg.

II. Hetimi i marrëveshjeve të ndaluara
– Tregu me pakicë i shërbimeve celulare

Në përfundim të hetimit prapraprak, KK, me vendimin nr. 703, datë 06.08.2020, vendosi për mbylljen e procedurës së hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe miratimin e angazhimeve si të detyrueshme në formën e kushteve dhe detyrimeve për ndërmarrjet Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom, si më poshtë:

a. Rritje e transparencës mbi produktet e reja/ndryshuara që hidhen në treg;
b. Akses për të gjithë;
c. Më shumë internet data në celular për të gjithë – paketat e solidaritetit dixhital për COVID-19;
d. Përputhshmëria e praktikave të ndryshimit të çmimit me ligjin për konkurrencën;
e. Ofrimi i një game më të gjerë çmimesh, të përballueshme për tregun shqiptar, sipas treguesve ekonomikë të Shqipërisë;
f. Njoftimi i AK lidhur me ndryshimet e çmimeve.

Gjithashtu, KK vendosi detyrimin e ndërmarrjeve Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom të mos bëjnë marrëveshje dhe/ose praktika të bashkërenduara, të cilat kanë si objekt ose pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg.

– Tregu i sigurimeve për produktin kartoni jeshil

KK, me vendimin nr. 689, datë 24.04.2020, vendosi vazhdimin e përjashtimit nga ndalimi të marrëveshjes së lidhur midis shoqërive të sigurimit për kartonin jeshil, duke vlerësuar se kjo marrëveshje ka efekte vetëm për produktin karton jeshil, i cili zë një pjesë të vogël të totalit të tregut të sigurimeve dhe nuk kufizon lirinë tregtare, lirinë konsumatore për të përzgjedhur produktin dhe shoqërinë sipas kërkesës së tij. Kjo marrëveshje përjashtohet nga ndalimi vetëm me respektimin e kushteve dhe detyrimeve.

– Tregu i shitjes me shumicë dhe me pakicë i materialeve paramjekësore

KK, me vendimin nr. 684, datë 18.03.2020, vendosi “Për hapjen e hetimit paraprak në tregun e shitjes me shumicë dhe me pakicë të materialeve paramjekësore”, për të parë nëse ka, ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.

KK, me vendimin nr. 685, datë 18.03.2020 “Për marrjen e masës së përkohshme për vendosjen e konkurrencës në tregun e shitjes me shumicë dhe me pakicë të materialeve paramjekësore”.

Nga analiza e konkurrencës së ndërmarrjeve në tregun e tregtimit me shumicë të materialeve paramjekësore, përgjatë periudhës hetimore janar-maj 2020, është konstatuar se çmimet për produktet maska, alkool, gel-dezinfektues dhe termometra janë rritur në mënyrë të pajustifikuar. Në këto kushte ka dyshime për praktika të bashkërenduara midis ndërmarrjeve në treg në kuptim të nenit 3, pika 4 dhe nenit 4, pika 1, gërma (a) të ligjit nr. 9121/2003.

Për sa më sipër, KK, me vendimin nr. 716, datë 15.10.2020, vendosi për hapjen procedurës së hetimit të thelluar ndaj disa ndërmarrjeve në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të maskave; në tregun e importit, prodhimit dhe tregtimit me shumicë të alkooleve dhe gel-dezinfektues; në tregun e importit dhe tregtimit me shumicë të termometrave.

KK, pasi vlerësoi zbatimin e masës së përkohshme, u shpreh me vendimin nr. 717, datë 15.10.2020, “Për vendosje gjobe dhe dhënien e disa detyrimeve ndaj nje numri ndërmarrjesh.

– Tregu i importit të grurit dhe prodhimit të miellit

Në përfundim të procedurave të hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, KK, me vendimin nr. 700, datë 24.07.2020, “Për mbylljen e hetimit të thelluar në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit ndaj ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, me kushte dhe detyrimeve dhe dhënien e disa rekomandimeve për MFE, MBZHR dhe AKU”, vendosi mbi konstatimin e sjelljes së bashkërenduar midis ndërmarrjeve objekt hetimi, bazuar në nenin 3, pika 4, dhe nenin 4, pika 1, gërma (a) dhe (b) të ligjit nr. 9121/2003, si pasojë e caktimit të çmimeve të shitjes dhe kontrollimit të prodhimit në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal.

KK vendosi mbi ndërmarrjet AgroBlend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, kushtet dhe detyrimet si në vijim:

1. Të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
2. Të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet.
3. Të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit.
4. Gjatë periudhës së monitorimit të raportojnë çdo 3 (tre) muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike.
III. Kujdes është treguar edhe në lidhje me identifikimin e abuzimit me pozitën dominuese.

 

– Tregu i veprimtarive ekonomike që zhvillohen nga Federata Shqiptare e Futbollit

KK, me vendimin nr. 693, datë 14.05.2020, vendosi konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të FSHF si entiteti i vetëm të cilit shteti i ka deleguar të drejtën e organizimit dhe zhvillimit të veprimtarive sportive, kombëtare e ndërkombëtare në sportin e futbollit, në lidhje me aktivitetin ekonomik që zhvillon, në drejtim të shitjes së të drejtave të transmetimit televiziv; shitjes së biletave të ndeshjeve të ekipeve kombëtare; sponsorizime dhe reklama.
KK vendosi në të njëjtin vendim, dhënien e kushteve dhe detyrimeve për të ndaluar abuzimin me pozitën dominuese të FSHF.

– Tregu i prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto

KK, me vendimin nr. 702, datë 30.07.2020, vendosi mbylljen e procedurës së hetimit të thelluar ndaj ndërmarrjes Bankers Petroleum Albania LTD në tregun e prodhimit dhe tregtimit të naftës bruto, dhe dhënien e disa detyrimeve dhe rekomandimeve për ndërmarrjen Bankers Petroleum Albania LTD, Albpetrol dhe AKBN.

Rekomandimet e dhëna për ndërmarrjen Bankers Petroleum Albania LTD, si subjekt me pozitë dominuese në tregun e prodhimit të naftës bruto në RSH, përfshijnë: aplikimin e kushteve të tregtimit të barabarta për veprime tregtare të njëjta ndaj ndërmarrjeve me të cilat hyn në marrëdhënie kontraktore; dhe furnizimin e ndërmarrjeve të përpunimit të naftës bruto në tregun vendas, në respektim të marrëdhënieve kontraktore bazuar në dispozitat e Kodit Civil.

– Tregu i shërbimit të ngarkim-shkarkimit të anijeve konteinerike dhe aktivitetet e lidhura me to në terminalin e konteinerëve Durrës

KK, me vendimin nr. 696, datë 11.06.2020, “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjes Durrës Container Terminal SHA për abuzim me pozitën dominuese në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve në Terminalin e Konteinerëve Durrës dhe dhënien e një rekomandimi MIE dhe MFE”, vendosi:

1. Konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të ndërmarrjes Durrës Container Terminal SHA në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve në Terminalin e Konteinerëve Durrës, gjatë periudhës së ushtrimit të aktivitetit.
2. Gjobitjen e ndërmarrjes Durres Container Terminal SHA për shkelje të rëndë të konkurrencës konkretisht të nenit 9, pika 2, gërmat (a), të ligjit nr. 9121/2003, në masën 0,43% të xhiros së ndërmarrjes të vitit paraardhës financiar, në shumën 5,052,370 Lekë.
Hetime të përgjithshme
– Sektori i arsimit të lartë

KK, me vendimin nr. 706, datë 10.09.2020, “Për mbylljen e hetimit të përgjithshëm në sektorin e arsimit të lartë; dhënien e disa rekomandimeve për MASR, INSTAT, IAL-të publike dhe private, si dhe dhënien e disa detyrimeve për IAL private”.

Çështje të gjykuara në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Vendimet e Komisioni të Konkurrencës  lënë në fuqi nga Gjykata

Në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, përgjatë 2020 janë shqyrtuar 3 çështje:

1. Çështja gjyqësore me paditës: Federata Shqiptare e Futbollit, të paditur AK me objekt shfuqizimin e vendimit të KK nr. 693, datë 14.05.2020, “Për konstatimin e abuzimit me pozitën dominuese të Federatës Shqiptare të Futbollit, në lidhje me aktivitetin ekonomik që zhvillon, dhe dhënien e kushteve dhe detyrimeve”. Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesë padinë. FSHF ka ushtruar të drejtën e ankimit pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

2. Çështja gjyqësore me paditës: “Durrës Container Terminal” SHA, të paditur AK me objekt shfuqizimin e paragrafit “I” dhe “II” të vendimit të KK nr. 696, datë 11.06.2020, “Për vendosje gjobe ndaj ndërmarrjes “Durres Container Terminal” SH.A për abuzim me pozitën dominuese në tregun e shërbimit të mbushjes dhe zbrazjes së konteinerëve në Terminalin e Konteinerëve Durrës” dhe dhënien e një rekomandimi MIE dhe MFE”. Gjykata Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesë padinë e shoqërisë tregtare “Durrës Container Terminal” SHA.

3. Çështja gjyqësore me paditës: Shoqëria “Electral” SHPK, të paditur AK me objekt: “Detyrimin e AK për nisjen e procedurave të hetimit paraprak dhe hetimit të thelluar ndaj subjektit Baboon.al për abuzim me pozitën dominuese”. Gjykata e Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesë padinë e shoqërisë “Electral” SH.P.K

Pranë Gjykatës Administrative të Apelit dhe Gjykatës së Lartë përgjatë vitit 2020 nuk është shqyrtuar asnjë çështje me objekt vendimet e KK.

Akte nënligjore të miratuara nga Autoriteti gjatë vitit 2020, në kuadër të zbatimit të PKIE

Gjatë vitit 2020, Komisioni i Konkurrencës në zbatim të PKIE (2020-2022), si dhe në funksion të përmbushjes së qëllimit të ligjit nr.9121/2003 ka realizuar transpozimin e direktivave të BE në legjislacionin kombëtar të konkurrencës, ku konkretisht janë miratuar:

1. Udhëzuesi “Për fuqizimin e Autoritetit të Konkurrencës për të qenë sa më i efektshëm në zbatueshmërinë e ligjit nr. 9121/2003 dhe për të siguruar funksionimin e duhur të tregut”, miratuar me VKK nr. 697, datë 30.06.2020.
2. Udhëzuesi “Mbi konkurrencën në tregjet e rrjeteve dhe shërbimeve për komunikimet elektronike”, miratuar me VKK nr. 683, datë 18.03.2020.
3. Udhëzuesi “Mbi konfidencialitetin dhe aksesin në dosje”, miratuar me VKK nr. 694, datë 15.05.2020.
4. Udhëzuesi “Për praktikat më të mira për kryerjen e procedurave në lidhje me zbatimin e nenit 4 dhe 9 të ligjit nr.9121/2003 miratuar me VKK nr. 678, datë 13.02.2020.

 

Roli i Autoritetit të Konkurrencës në formulimin dhe implementimin e politikave të tjera – Advokacia e konkurrencës

 

– Vlerësimi i akteve dhe projekt-akteve normative

Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2020 ka vlerësuar:

3 (tre) projektligje: 4 (katër) projekt-akte normative: 24 (njëzetë e katër) projekt-akte normative në tregun e energjisë: 4 (katër) projekt-akte normative në sektorin e furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave, etj.

Gjatë vitit 2020, në funksion të advokacisë, AK ka realizuar si më poshtë:

1. Në kuadër të Projektit të BERZH “Asistencë teknike për AK, rritje e kapaciteteve, hartim i legjislacionit dhe advokacia”, është hartuar dokumenti “Advokacia e konkurrencës dhe Strategjia e komunikimit”, miratuar me VKK nr. 757, datë 23.12.2020, “Miratimi i dokumentit – “Advokacia e konkurrencës dhe Strategjia e komunikimit”.
2. Në kuadrin e advokacisë së konkurrencës, në kushtet e pandemisë COVID-19, AK ka realizuar në datën 5 dhjetor 2020 në “Ditën ndërkombëtare të konkurrencës” video-projeksionin me titull “Promovim publik i ligjit të konkurrencës” nëpërmjet video-projeksionit në godinën e UT.

 

Bashkëpunimi Ndërkombëtar

Gjatë veprimtarisë së vitit 2020, AK ka synuar forcimin e marrëdhënieve ndërkombëtare me institucionet homologe, forumet dhe qendrat e trajnimeve të konkurrencës në rajon e më gjerë.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar, në datë 23 nëntor 2020 u nënshkrua Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës dhe Autoritetit Spanjoll për Tregjet dhe Konkurrencën për të promovuar bashkëpunimin në fushën e politikës së konkurrencës dhe zbatimin e ligjit të konkurrencës, duke synuar krijimin e kushteve të favorshme për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, bazuar në parimet e barazisë dhe përfitimit reciprok.

Prioritetet e AK për vitin 2021

Autoriteti i Konkurrencës, në përputhje me qëllimin e ligjit nr. 9121/2003, për një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg, do të vazhdojë monitorimet, hetimet dhe analizat në tregjet sensitive dhe me impakt të drejtpërdrejtë në mirëqenien e konsumatorit shqiptar, si:

– tregu i telekomunikacioneve;
– tregu i energjisë;
– tregu i hidrokarbureve;
– tregu financiar;
– tregu i sigurimeve;
– tregu farmaceutik (barna dhe pajisje mjekësore);
– tregu i produkteve paramjekësore (maska, alkool, gel disinfektant, termometër);
– tregu spitalor;
– tregu i prokurimeve publike.

Gjatë vitit 2021, si prioritete të AK, në linjë edhe me ato të vendeve anëtare të BE, do të jenë monitorimi dhe hetimi në sektorë/tregje të reja:

– sektori i ekonomisë dixhitale;
– tregu i mediave audiovizive;
– tregu i shërbimeve portuale.

Në fokus të AK gjatë vitit 2021 do të jetë edhe mbrojtja e të dhënave personale dhe konkurrenca, si një çështje më rendësi të veçantë në axhendën e Autoriteteve homologe të Konkurrencës në BE, si dhe atë të DG Competition.

Përafrimi institucional me standardet dhe praktikat e BE-së

Gjatë vitit 2021, AK do të bëjë të mundur:

1. Implementimin e Udhëzuesit “Për fuqizimin e Autoritetit të Konkurrencës për të qenë sa më i efektshëm në zbatueshmërinë e ligjit nr. 9121/2003 dhe për të siguruar funksionimin e duhur të tregut”, në zbatim të Direktivës (EU) 2019/1 e Parlamentit Evropian dhe të Këshillit të datës 11 dhjetor 2018 – (ECN+), dhe konkretisht: propozimin e amendimeve ligjore në ligjin nr. 9121/2003, në kuadër të Projektit IPA Twinning “Forcim kapacitetesh për AK për të mbrojtur konkurrencën e lirë dhe efektive në treg”.

2. Implementimin e Dokumentit “Advokacia e konkurrencës dhe Strategjia e komunikimit”, cila do të ketë në fokus:

a. rritjen e efektshmërisë së advokacisë së konkurrencës, në të cilën përfshihen objektiva specifikë me një publik të synuar;
b. rritjen e eficencës së strategjisë së komunikimit me institucionet publike, entet rregullatorë, dhe të gjithë aktorët e interesuar dhe të përfshirë në fushën e konkurrencës.
3. Rritjen e numrit të stafit teknik me 4 (katër) inspektorë, për të monitoruar, hetuar dhe për të bërë analiza në tregje dhe sektorë të ekonomisë shqiptare cilët të janë në rritje dhe të larmishme. Kjo kërkesë, buron jo vetëm nga nevojat e AK si një institucion i cili mbulon të gjithë territorin e RSH, por ajo mbështetet edhe në kërkesat e vazhdueshme të Progres Raporteve të KE për Shqipërinë, ku konkretisht, edhe në Progres Raportin e fundit, është kërkuar shtimi dhe forcimi i kapaciteteve institucionale të AK, si një institucion i cili ka rolin e tij si lider dhe koordinator në Kapitullin e 8-të MSA “Politikat e konkurrencës”.4. Forcimin e kapaciteteve administrative, nëpërmjet trajnimit të stafit të ri dhe ekzistues me qëllim rritjen e cilësisë së monitorimit, inspektimit, hartimit të raporteve, analizave, mbrojtjes së vendimeve të KK në proceset gjyqësore, në të gjitha shkallët e gjyqësorit.

5. Adresimin në mënyrë të përshtatshme dhe domethënëse të çështjeve sensitive (trajtimi i ankesave), si dhe intensifikimi i bashkëpunimit me entet rregullatore.

6. Zbatimin e PKIE (2021-2023), dhe detyrat që rrjedhin nga MSA, si lider i kapitullit të 8-të “Politika e Konkurrencës”, dhe konkretisht transpozimin në legjislacionin e brendshëm të:

a. Dokumentit “Mbi praktikat më të mira për dorëzimin e dokumentacionit ekonomik dhe mbledhjes së të dhënave si në rastet e zbatimit të neneve 4 dhe 9 të ligjit nr. 9121/2003 edhe në rastet e përqendrimeve” (përafruar me aktin e BE: Praktikat më të mira të DG Competition për dorëzimin e dokumenteve ekonomike dhe mbledhjes së të dhënave në rastet e zbatimit të neneve 101 dhe 102 të TFEU dhe në rastet e përqendrimeve);
b. Dokumentit “Mbi praktikat më të mira në rastet e zbatimit të procedurave të kontrollit të përqendrimeve” (përfaruar me aktin e BE: Praktikat më të mira për kryerjen e procedurave të kontrollit të përqendrimeve të KE).

Viti që mbyllëm ishte sfidues. Po kaq sfidues ka filluar dhe viti 2021. Autoriteti Konkurrencës është plotësisht i ndërgjegjshëm për vështirësitë objektive që po përballet vendi në këtë kohe pandemie, por përfitoj nga rasti të siguroj Kuvendin dhe publikun e gjerë se me përgjegjshmëri të plotë do të vazhdojmë me maturi dhe këmbëngulje rrugën tonë në përmbushjen e mandatit ligjor të Autoritetit.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.