Nisur nga disa njoftime të ditëve të fundit në mediat online, Autoriteti i Konkurrencës vlerëson të domosdoshme të informojë publikun se, po, me vendimin nr. 1171, datë 26.03.2025, Komisioni i Konkurrencës ka vendosur hapjen e një procedure hetimi të thelluar në tregun e ndërmjetësimit për sigurimin e jetës për kreditë të cilat kërkojnë sigurim jete për ndërmarrjet: OTP Bank Albania SHA, Banka Kombëtare Tregtare SHA, Credins Bank SHA, Banka Raiffeisen SHA, Banka e Tiranës SHA, Intesa SanPaolo Bank Albania SHA, Union Bank SHA, E-Business Solutions SHPK, Banka e Bashkuar e Shqipërisë SHA, Banka Amerikane e Investimeve SHA dhe Abi Broker Sigurimesh SHA dhe në tregun e kredidhënies me sigurim jete për kreditë që jepen brenda bankës Bankës së Parë të Investimeve SHA dhe Bankës Procredit SHA në tregun e sigurimit të jetës për kredi.
Ky hetim është hapur mbi bazën e të dhënave të mbledhura gjatë fazës paraprake dhe ka si qëllim të verifikojë nëse në këtë treg ka ekzistuar një praktikë që mund të ketë kufizuar konkurrencën dhe lirinë e zgjedhjes së konsumatorëve. Hetimi nuk është i drejtuar ndaj një banke apo shoqërie sigurimi të vetme, por përfshin një numër të konsiderueshëm bankash dhe ndërmjetësish, duke mbuluar tërë tregun në fjalë.
Në këtë fazë, procedura është në zhvillim dhe nuk ka ende rezultate përfundimtare, aq më pak një vendim përfundimtar të Komisionit të Konkurrencës.
Autoriteti e shfrytëzon këtë rast për të ritheksuar se, ndërsa respekton rolin informues të medias dhe të drejtën e publikut për t’u informuar, po aq i kushton rëndësi edhe të drejtës së ndërmarrjeve për të ushtruar veprimtarinë e tyre në një mjedis të drejtë konkurrues dhe për të ruajtur emrin e mirë të tyre. Bankat dhe shoqëritë e sigurimit përbëjnë një nga shtyllat kryesore të ekonomisë dhe çdo proces hetimor i Autoritetit zhvillohet në mënyrë të paanshme, me transparencë dhe me respektim të plotë të ligjit.