Njoftim për shtyp

Tiranë, 26 Qershor 2025 – Komisioni i Konkurrencës, në vijim të monitorimit të tregut të shërbimeve bankare në pajisjet ATM, shqyrtoi komisionet e aplikuara nga bankat e nivelit të dytë për tërheqje në bankomate në territorin e Bashkisë Sarandë.

Monitorimi u realizua në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga Rezoluta e Kuvendit të Shqipërisë dhe përfshiu të dhëna të marra nga të gjitha bankat e licencuara në vend, sipas listës së publikuar nga Banka e Shqipërisë.

Nga vlerësimi i të dhënave rezulton se nuk janë konstatuar praktika të kundraligjshme që cenojnë konkurrencën, por është evidentuar:

  • një nivel i ulët transparence mbi tarifat;
  • mungesë e harmonizimit për tarifat e aplikuara ndaj kartëmbajtësve të huaj, dhe;
  • problematika lidhur me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve.

Për këto arsye, me Vendimin nr. 1193, datë 26.06.2025, Komisioni i Konkurrencës i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë që të ndërmarrë masat e mëposhtme:

  1. Të kontrollojë metodologjinë e përllogaritjes së komisioneve për tërheqje në bankomate, përfshirë komisionet për kartëmbajtësit e huaj dhe aplikimin e ‘mark-up’-it në shërbimin e këmbimit dinamik të valutës (DCC);
  2. Të kërkojë raportim periodik dhe publikim të komisioneve në një format të unifikuar, lehtësisht të aksesueshëm nga publiku, si në faqet e bankave ashtu edhe në faqen e Bankës së Shqipërisë;
  3. Të shqyrtojë nevojën për ndërhyrje rregullatore, bazuar në gjetjet e kontrolleve, në lidhje me përdorimin e rrjeteve të nënkontraktuara të bankomateve dhe parandalimin e aplikimit të komisioneve disproporcionale.

Për më shumë informacion, ju ftojmë të vizitoni faqen zyrtare të Autoritetit të Konkurrencës: www.caa.gov.al

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.