Autoriteti i Konkurrencës nis monitorimin e çmimeve të mallrave të shportës gjatë festave të fundvitit

Autoriteti i Konkurrencës informon publikun se, nga data e djeshme dhe deri më 15 janar, ka nisur një proces monitorimi të posaçëm në tregun e mallrave të shportës, me fokus të veçantë periudhën e festave të fundvitit.

Qëllimi i këtij monitorimi është verifikimi i ecurisë së çmimeve dhe i sjelljes së ndërmarrjeve përgjatë zinxhirit të furnizimit dhe tregtimit, me synim parandalimin e çdo rritjeje të pajustifikuar të çmimeve si pasojë e bashkërendimit të sjelljes tregtare apo e marrëveshjeve të ndaluara ndërmjet distributorëve, tregtarëve me shumicë dhe rrjeteve të supermarketeve.

Monitorimi përfshin mallrat bazë të shportës së konsumatorit, konkretisht: makarona, oriz, miell, vezë, sheqer, vaj ushqimor dhe pije joalkolike.

Autoriteti i Konkurrencës thekson se çdo marrëveshje apo praktikë e bashkërenduar që ka si objekt ose pasojë shtrembërimin e konkurrencës, veçanërisht përmes rritjes së çmimeve në dëm të konsumatorëve, përbën shkelje të ligjit nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” dhe do të trajtohet me seriozitet maksimal.

Në këtë kuadër, Autoriteti i Konkurrencës u bën thirrje të gjitha ndërmarrjeve që operojnë në tregjet përkatëse të respektojnë rregullat e konkurrencës së ndershme dhe të shmangin çdo sjellje që mund të cenojë funksionimin normal të tregut.

Autoriteti i Konkurrencës do të vijojë ndjekjen nga afër të zhvillimeve në treg dhe do të informojë publikun për çdo gjetje apo masë që do të ndërmerret në përfundim të këtij monitorimi.

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.

    Skip to content