Fjala e Kryetares në Konferencën Ndërkombëtare “13 VJET EKSPERIENCË NË POLITIKËN E KONKURRENCËS NË SHQIPËRI: ASPEKTE TË LIGJIT, EKONOMISË DHE BIZNESIT”

13 VJET EKSPERIENCË NË POLITIKËN E KONKURRENCËS NË SHQIPËRI:
ASPEKTE TË LIGJIT, EKONOMISË DHE BIZNESIT

E nderuar Zv.kryeministre,
I nderuar Kryetar i Komisionit të Ligjeve,
I nderuar përfaqësues i përhershëm i UN/UNDP në Shqipëri,
Të nderuar pjesëmarrës,

Kam kënaqësinë t’Ju uroj mirëseardhjen në konferencën ndërkombëtare “13 vjet eksperiencë në politikën e konkurrencës në Shqipëri: aspekte nga ligji, ekonomia dhe biznesi”. Takimi i sotëm shënon një nga momentet e rëndësishme të veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës në vitin 2017. Kam bindjen se punimet e kësaj konference do të karakterizohen nga një shkallë e lartë profesionalizmi dhe se konkluzionet e dala do të jenë një kontribut i çmuar në punën e Autoritetit në të ardhmen.
Autoriteti i Konkurrencës, si një institucion publik i pavarur, ka hyrë në dekadën e dytë të tij. Në vitin e 13 të ekzistencës së tij, veprimtaria institucionale e tij mbështetet në moton se: “Nxitja dhe mbrojtja e konkurrencës së lire dhe efektive në treg, i shërben mbi gjithçka interesave të konsumatorit, eficensës së tregjeve si dhe prosperitetit ekonomik dhe social afatgjatë të vendit”.
Parë në një këndvështrim historik, Shqipëria dhe ekonomia e saj e centralizuar dhe planifikuar, vinte nga një izolim total gjatë regjimit komunist, ku mungesa e pronës private, nuk mundësonte konkurrencën. Ndryshimi i sistemit politik në fillim të viteve ‘90 u shoqërua me zhvillime të shumta përsa i përket sistemit ekonomik dhe financiar të vendit. Ekonomia e centralizuar i la vendin ekonomisë së tregut në themel të së cilës qëndron iniciativa e lirë, prona private dhe konkurrenca e lirë.
Dispozitat Kushtetuese më herët por në mënyrë më të plotë në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, miratuar më 1998, është sanksionuar se: “Sistemi ekonomik i Republikës së Shqipërisë bazohet në pronën private e publike, si dhe në ekonominë e tregut dhe në lirinë e veprimtarisë ekonomike” (neni 11§1), dhe se “E drejta e pronës private është e garantuar” (neni 41/1). Këto dy dispozita kushtetuese në koherencë me njëra – tjetrën, garantuan kalimin e ekonomisë së Republikës së Shqipërisë nga një ekonomi e planifikuar dhe e kontrolluar nga shteti, në një ekonomi të tregut të lirë.
Pjesë e sistemit të ri të rregullimit ekonomik, ishte dhe konkurrenca, e cila si një element substancial i ekonomisë së tregut.
Ligjit nr. 9121, i datës 28 korrik 2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, përveçse krijoi bazën ligjore për garantimin e konkurrencës së lirë në ekonomi, sanksionoi dhe krijimin e institucionit përkatës shtetëror, Autoritetit të Konkurrencës i cili filloi veprimtarinë e tij në mars të vitit 2004.
Me një mandat të mirë përcaktuar ligjor, Autoriteti Konkurrencës ka statusin e një institucioni të pavarur publik, përbërja e të cilit ndërthur parimin e balancës së pushtetit, midis dy strukturave të tij, asaj ekzekutive dhe asaj vendimmarrëse. Struktura ekzekutive nënkupton Sekretariatin e Autoritetit personeli i të cilit gëzon statusin e nëpunësve civil. Nga ana tjetër komponenti vendimmarrës nënkupton Komisionin e Konkurrencës, në përbërje të të cilit janë 5 anëtarë që zgjidhen nga Kuvendi i Shqipërisë, nga të cilët njëri zgjidhet edhe në postin e kryetarit të Komisionit, i cili ndërmjet të tjerash drejton edhe aktivitetin e përditshëm të Autoritetit.
Dispozitat e Ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përcaktojnë në mënyrë të qartë se objektivi kryesor i Autoritetit të Konkurrencës, është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg në territorin e Republikës së Shqipërisë. Autoriteti i këtij institucioni shtrihet në të gjithë sektorët e ekonomisë pa dallim, qofshin ndërmarrje private apo shtetërore, përfshirë dhe ato njësi që megjithëse aktivitetin e tyre e ushtrojnë jashtë territorit të Shqipërisë, pasojat e tyre ndihen në tregun e brendshëm. Në mënyrë më specifike, Autoriteti i Konkurrencës ka si mision identifikimin e: (1) marrëveshje të tipit kartel; (2) pozitave dominuese në treg; (3) bashkimeve apo përqendrimeve të ndërmarrjeve të natyrës monopol.
Të nderuar pjesëmarrës,
Nga një këndvështrim historik, 13 vite përbëjnë një periudhë relativisht të shkurtër kohore. Megjithatë, po të mbajmë parasysh vetë historinë e ekonomisë së tregut në Shqipëri, atëherë kuptojmë se bëhet fjalë për pothuajse gjysmën e periudhës gjatë së cilës po përpiqemi të ndërtojmë një shtet demokratik ku sundon ligji dhe e drejta. Nga ky këndvështrim besoj se Autoriteti i Konkurrencës ka ndërtuar tashmë një bacgraund të pasur.
Në parantezë do të doja të theksoja se veprimtaria e Autoritetit të Konkurrencës ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me zhvillimet e përgjithshme politiko, ekonomike, dhe sociale që kanë karakterizuar vendin në këto vite të ekzistencës së tij. Zhvillimi dinamik i vendit sidomos, pas kolapsit të piramidave në vitin 1997, i ka imponuar Autoritetit të Konkurrencës nevojën për t’u rritur dhe maturuar me shpejtësi. Ekonomia e tregut megjithëse është testuar si forma më efektive, ajo nuk është e imunizuar nga një sërë problemesh dhe parregullsish që tentojnë ta shoqërojnë atë herë pas here. Në këtë kuptim, Autoriteti i Konkurrencës si një nga institucionet e rëndësishme për të vigjiluar dhe shmangur një kategori të caktuar problematikash, i është dashur që vazhdimisht t’i paraprijë këtyre fenomeneve dhe zhvillimeve të padëshirueshme.
Nga një institucion i brishtë fillimisht, me pak know – how, me trashëgimi zero në promovimin dhe mbrojtjen e konkurrencës së lirë, sot kemi arritur të ndërtojmë kapacitete të kënaqshme monitoruese, analizuese dhe vendimmarrëse, spektri i të cilave është shtrirë në pothuaj në të gjithë sektorët e ekonomisë.
Një moment i rëndësishëm përkon me ndryshimet ligjore të bëra në vitin 2010, falë të cilave veprimtaria e Autoritetit të Konkurrencës, e shtriu fokusin e veprimtarisë së saj edhe mbi ndërmarrjet publike apo kompani private të cilave shteti ju ka dhënë të drejta ekskluzive apo të veçanta për të ushtruar një aktivitet ekonomik të caktuar, dhe u është besuar kryerja e aktiviteteve me interes të përgjithshëm ekonomik, apo që kanë karakterin e monopoleve.
Këto ndryshime i dhanë Autoriteti të Konkurrencës tagrin për të vlerësuar kontratat publike dhe koncesionet e dhëna nga qeveria, ndërmarrjeve të caktuara, ndërkohë që paralelisht forcuan politikat penalizuese të Institucionit duke vendosur një nivel maksimal ndëshkimi deri në 10% së xhiros së vitit paraardhës.
Në ditët tona falë edhe përpjekjeve dhe kontributit të dhënë nga ana e Autoritetit, efektiviteti i tregjeve ka ardhur në rritje duke garantuar një shpërndarje të resurseve financiare dhe atyre të të mirave materiale në mënyrë më të njëtrajtshme dhe më gjithëpërfshirëse. Veprimtaria e Autoritetit të Konkurrencës ka synuar jo vetëm monitorimin, analizimin dhe evidentimin e situatave të paqarta dhe të dyshimta por edhe në shoqërimin e tyre me masa dhe rekomandime konkrete për kapërcimin e tyre.
Vendimmarrja e Autoritetit, ka mbuluar pak a shumë të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në sektorët me të ndjeshëm të ekonomisë, të tilla si: nafta, gazi, telefonia celulare, tregu i sigurimeve, tregu bujqësor, sistemi bankar dhe produktet e tij, si dhe prokurimet publike.
Nga të gjithë hetimet e kryera, që nga viti 2004 e deri më sot, nga ana e Komisionit të Konkurrencës janë marrë 488 vendime, nga të cilat:
• 22 vendime janë për hetimet dhe rekomandimet në tregun e energjisë, përfshirë dhe gazin natyror;
• 27 vendime i takojnë procedurave hetimore dhe rekomandimeve ndaj AKEP në tregjet e komunikimeve elektronike;
• 34 vendime përfshijnë procedurat hetimore në tregun e naftës dhe gazit të lëngshëm;
• 37 vendime janë rekomandime, dhe hetime në tregjet financiare, bankat dhe sigurimet;
• 10 vendime për sektorin e transportit, përfshirë transportin urban, detar dhe ajror.

Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të ligjit, ka vepruar dhe vepron edhe si nxitës dhe avokat i konkurrencës dhe interesave të konsumatorit. Për këtë qëllim ai ka shqyrtuar më shumë se 10 akte ligjore dhe nënligjore të cilat janë konsideruar se vendosin të drejta ekskluzive ose të veçanta.
Forcimi i zbatimit të ligjit nëpërmjet vendosjes së masave administrative me gjoba është një instrument i rëndësishëm ligjor me anë të së cilës Autoriteti Konkurrencës ndërhyn në treg për të ndaluar dhe eliminuar abuzimin me pozitën dominuese, marrëveshjet e ndaluara dhe kontrollin e përqëndrimeve. Për këtë qëllim janë marrë 21 vendime me masë administrative (gjoba), rreth 10 milionë dollarë.
Pjesë e rëndësishme e punës së Autoritetit të Konkurrencës ka qenë funksioni këshillimor nëpërmjet rekomandimeve të vazhdueshme të dhëna institucioneve shtetërore dhe enteve të tjera rregullatorë publike, duke e shndërruar atë në një burim idesh për të ndihmuar edhe organet dhe institucionet e tjera vendimmarrëse, në identifikimin dhe hartimin e reformave strukturore.
Autoriteti i Konkurrencës ka luajtur një rol aktiv edhe përsa i takon procesit të integrimit. Legjislacioni dhe veçanërisht kuadri nënligjor, është pothuajse i përafruar më acquis të BE. Autoriteti i Konkurrencës, është institucioni lider ne Kapitullin e 8-të të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit – “ Konkurrenca dhe liberalizimi”, duke përfshirë dhe ndihmën shtetërore dhe të drejtat eksluzive. Kontributi ka qenë i spikatur në lidhje me:
1. Përafrimin e legjislacionit primar dhe atij sekondar;
2. Rritjen e pavarësisë operacionale të Autoritetit të Konkurrencës;
3. Rritjes dhe forcimit të kapaciteve administrative për zbatimin e ligjit;
4. Advokacinë nëpërmjet rekomandimeve dhe rritjen e kulturës së konkurrencës.

Komunikimi me publikun dhe transparenca mbi veprimtarinë e tij, në përputhje me kërkesat e ligjit “Për Mbrojtjen e konkurrencës” është një tjetër prioritet konstant i punës sonë. Raporti Vjetor i paraqitur para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, është një dokument me anë të cilit kryhet një llogari dhënie e plotë në lidhje me punën e bërë si dhe sfidat në të ardhmen ndërkohë që rezolutat e Kuvendit për përmirësimin e veprimtarisë së Autoritetit janë zbatuar me korektësi.
Së fundmi, por jo më pak nga rëndësia – bashkëpunimi ndërkombëtar.
Konferenca e sotme e organizuar në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Konkurrencës, është një shembull i qartë, se ky bashkëpunim është i qenësishëm, dhe për vende si Shqipëria. Aspirata jonë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkëmbimi i përvojave dhe eksperiencave me institucionet homologe të rajonit dhe me gjerë, bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare, janë një ndihmesë e madhe për Autoritetin Shqiptar të Konkurrencës për të gjetur zgjidhje me adekuate të problematikave që nxjerr sot zhvillimi ekonomik e vendit dhe sfidat e së ardhmes.
Të nderuar pjesëmarrës,
Dëshiroj edhe njëherë të falënderoj të gjithë të pranishmit në sallë dhe veçanërisht folësit e nderuar të këtij takimi. Duke ju ftuar të jeni sa më aktive.
Ju faleminderit për vëmendjen!

Dërgoni Ankesën Tuaj

    Mund të ngarkohen një ose më shumë dokumenta, në formatet: Word, Excel,Jpeg dhe PDF

    Të dhënat tuaja do të trajtohen me konfidencialitet të plotë sipas ligjit nr.9887, datë 10.03.2008, 'Për mbrojtjen e të dhënave personale', i ndryshuar.