Në kuadër të promovimit të kulturës së konkurrencës, mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive dhe përafrimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor me aquis të Bashkimit Evropian, Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi më datë 12 dhjetor, në ambientet e Maritim Hotel Plaza, aktivitetin me temë “Dita e Konkurrencës dhe prezantimi i ndryshimeve të propozuara në ligjin nr.9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
Ky aktivitet u çel me fjalën përshendetëse të kreut të Autoritetit të Konkurrencës, Z. Denar Biba. Në vijim të aktivitetit z. Biba pati kënaqësinë të prezantonte për të ftuarit ndryshimet ligjore në ligjin nr.9121, datë 28.07.2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”, ndryshime të cilat do të jenë pjesë e diskutimeve edhe në aktivitete të tjera të ngjashme ku aktorë të ndryshëm do të kenë mundësinë të shprehen në lidhje me to.
Takimi u përshëndet dhe nga Znj. Elisa Spiropali Ministër i Shtetit për Marrëdheniet me Parlamentin e cila në fjalën e saj vlerësoi përpjekjet serioze për plotësimin e kuadrit ligjor në përputhje me acquis të BE, promovimin e mëtejshëm të kulturës së konkurrencës në mbrojtje të ekonomisë së lirë dhe konsumatorit, si dhe nxitjen e bashkëveprimit me ekzekutivin dhe bashkëpunimit me institucionet homologe të Bashkimit Evropian me qëllim huazimin e praktikave më të mira në fushën e konkurrencës.
Aktivitetin e përshendetën dhe Znj. Reida Kashta, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë së Prokurimit Publik, Znj. Armela Krasniqi, Kryetare e Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Z. Enio Jaço, President i Dhomës Amerikane të Tregtisë.
Në këtë aktivitet u diskutua për rëndësinë e forcimit të kuadrit ligjor për mbrojtjen e konkurrencës së lirë dhe efektive për mirëfunksionimin e tregut, si dhe të rolit të Autoritetit të Konkurrencës veçanërisht në çështje si prokurimet publike.