Në datat 26-27 maj 2025, në Vjenë, Austri u zhvillua konferenca me temë “Ndërtimi i institucioneve efektive të tregut në Ballkanin Perëndimor”, organizuar nga Banka Botërore në bashkëpunim me Autoritetin Austriak të Konkurrencës.
Në këtë aktivitet mori pjesë një delegacion nga Autoriteti Shqiptar i Konkurrencës i përbërë nga Kryetari i Autoritetit z. Denar Biba, anëtarja e Komisionit të Konkurrencës zj. Fatjola Delija dhe Sekretari i Përgjithshëm i Autoritetit të Konkurrencës z. Endi Çekani.
Konferenca në ditën e parë mblodhi së bashku personalitete të rëndësishme të politikës si dhe ekspertë të fushës së konkurrencës nga rajoni dhe më gjerë, ndër ta edhe zj. Claudia Plakolm, Ministre për Europën dhe Integrimin e Republikës së Austrisë, si dhe Prof. Philip Marsden, zëvendëskryetar i komitetit për vendimmarrje zbatimin e ligjit në Bankën e Anglisë dhe ish-kryetar i zyrës së hetimit në Autoritetin e Konkurrencës dhe Tregjeve në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë ditës së dytë të konferencës, pjesëmarrësit patën mundësinë të marrin pjesë në sesione të posaçme trajnimi të udhëhequra nga ekspertë ndërkombëtarë si Devon Mahoney, konsulent i Bankës Botërore dhe ish-agjent mbikëqyrës special i FBI për programin e antitrustit, si dhe Gadi Perl, konsulent i Bankës Botërore dhe ish-shef i hetimeve forenzike pranë Autoritetit të Konkurrencës në Izrael. Trajnimet u përqendruan në ndarjen e praktikave më të mira në investigimin e shkeljeve në fushën e konkurrencës, përfshirë hetimet për marrëveshje të fshehta dhe abuzime me pozitën dominuese.
Pjesëmarrja e Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës në këtë konferencë përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të kapaciteteve institucionale dhe shkëmbimit të përvojave me autoritete të tjera homologe në rajon dhe më gjerë, në funksion të një tregu më të hapur, të ndershëm dhe konkurrues.