Tiranë, 17 nëntor 2025
Autoriteti i Konkurrencës (AK) dhe Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (FDUT), kanë zyrtarizuar bashkëpunimin e tyre përmes nënshkrimit të një Marrëveshje Bashkëpunimi, me qëllim forcimin e kulturës së konkurrencës dhe promovimin e advokacisë së konkurrencës për studentët dhe stafin akademik.
Vizita zyrtare u zhvillua në ambientet e Autoritetit të Konkurrencës ku morën pjesë Prof. Dr. Dorina Hoxha, Dekane e FDUT, dhe Znj. Fjoralba Caka, pedagoge e të Drejtës së Bashkimit Europian dhe Tregut të Brendshëm, nga ana e AK pritja u realizua nga Kryetari Z. Denar Biba, Anëtare e Komisionit Znj. Rezana Konomi, dhe Mimoza Kodhelaj, Drejtor.
Marrëveshja e Bashkëpunimit synon të krijojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi mes dy institucioneve në fushën e trajnimit, kërkimit shkencor në fushën e konkurrencës, dhe sensibilizimit mbi rëndësinë e konkurrencës efektive në ekonomi, si edhe të krijojë mundësinë për zhvillimin e praktikave nga ana e studenteve dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta mes dy institucioneve duke përfshirë leksione të hapura, seminare dhe trajnime të ndryshme për studentët dhe stafin akademik.
Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës (FDUT) shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e ngushtë me Autoritetin e Konkurrencës dhe ritheksoi angazhimin për të kontribuar në edukimin e brezit të ri të profesionistëve në përputhje me standardet më të mira europiane në fushën e konkurrencës.
Autoriteti i Konkurrencës vlerëson bashkëpunimin me institucionet akademike për të edukuar profesionistët e të nesërmes mbi parimet e mbrojtjes së konkurrencës.


