Raporte vjetore
Miratimi i Rezolutës "Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2018"

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, mbledhur në seancë plenare, datë 03.04.2019 miratoi Rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2018”.




Rezoluta e Kuvendit, vlerëson rolin e Autoritetit të Konkurrencës, në funksion të mbrojtjes së konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, duke ndërhyrë në tregje me problematika të përsëritura dhe sensitive të ekonomisë shqiptare, dhe që i shërben mbi gjithçka interesave të konsumatorit.




Rezoluta parashtron përpara Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2019 që veprimtaria e tij të ketë në fokus:

- Monitorimin e përmbushjes së rekomandimeve të dhëna në tregjet e hetuara gjatë vitit 2018, veçanërisht për kontratat koncesionare në fuqi, të cilat sjellin deformime të konkurrencës në treg, duke evidentuar dhe përllogaritur dëmin apo përfitimin real të konsumatorit;
- Rishikimin e ligjit nr. 9121/2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, I ndryshuar, me focus përputhshmërinë e plotë me legjislacionin e BE-së në fushën e konkurrencës, në kuadër të përgatitjes për anëtarësim në Bashkimin Evropian, përshtatur me kushtet e reja të zhvillimit ekonomik të vendit tonë;
-  Sensibilizimin e mëtejshëm të publikut për rolin e Autoritetit në garantimin e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg dhe njohjen më të saktë të publikut me fushën e veprimtarisë së Autoritetit;
- Zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Plani Kombëtar I Integrimit Evropian (PKIE) në drejtim të përafrimit të legjislacionit me direktivat evropiane në fushën e konkurrencës;
- Trajnimin e stafit në lidhje me vlerësimin e të drejtave ekskluzive dhe të veçanta dhe sidomos në vlerësimin e procedurave të prokurimit public për marrëveshje të ndaluara në oferta;
- Vlerësimin ex-ante të ligjeve, si dhe njoftimin e Kuvendit për vendimmarrjen e Komisionit të konkurrencës në lidhje me çdo akt ligjor që prek parametrat e konkurrencës, në fazën e shqyrtimit të tyre nga komisionet parlamentare përgjegjëse.


Rezoluta veçanërisht i kërkon Autoritetit të Konkurrencës që të mbikëqyrë me prioritet dhe të dalë me rekomandime konkrete për tregjet me sensitivitet të lartë publik e ndikim social si: tregu bankar, tregu i shërbimeve spitalore, tregu farmaceutik, si dhe sektori i arsimit të lartë publik dhe privat.