Raporte vjetore
Fjala e Kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës

Prof.Dr. Juliana Latifi

Viti 2018 përkon me një periudhë tejet të ngjeshur dhe sfiduese të veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës në përmbushjen e detyrimeve ligjore që rrjedhin nga ligji nr.9121/2003 “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, i ndryshuar. Ashtu si në të kaluarën, përgjatë gjithë vitit, fokus qendror i veprimtarisë së institucionit ka qenë misioni për të garantuar respektimin e rregullave të lojës së ndershme nga të gjithë pjesëmarrësit e tregut.

Aktiviteti ynë ka qenë shumë dimensional. Ai është materializuar në një numër të konsiderueshëm vendimesh të marra nga ana e Komisionit të Konkurrencës, organit vendimmarrës të Autoritetit. Më konkretisht, gjatë vitit 2018 u morën 87 vendime, ose thënë ndryshe dy herë më shumë se në vitin 2017. Në mënyrë të përmbledhur, vendimmarrja ka konsistuar në një sërë gjetjesh në formën e rekomandimeve, autorizimeve, vlerësimeve ligjore, masave të përkohshme përfshirë dhe vendimet e natyrës penalizuese.

Duke u ndalur tek kjo e fundit duhet theksuar se në vitin 2018, u vendosën 6 gjoba, nga të cilat u mundësua vjelja dhe derdhja në buxhetin e shtetit të vlerës 269 milionë lekë. Për herë të parë në veprimtarinë e Autoritetit, vlera e gjobave të vjela së bashku më të ardhurat e arkëtuara nga autorizimi i përqendrimeve, rezultojnë 3.5 herë më të larta se gjithë buxheti i veprimtarisë së vetë institucionit.

Një drejtim i rëndësishëm i veprimtarisë së institucionit ka qenë dhe ndjekja me prioritet e rekomandimeve të lëna nga Kuvendi i Shqipërisë në Rezolutën “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2017”, datë 03.05.2018. Nga ky këndvështrim, Autoriteti ka arritur të adresojë të gjithë rekomandimet e lëna, nga ku duhet veçuar monitorimi në vazhdimësi i aktivitetit të ndërmarrjeve, që u janë dhënë nga shteti të drejta ekskluzive dhe të veçanta, për të evidentuar dhe shmangur situatat monopolistike.

Veprimtaria e institucionit ka qenë e spikatur edhe në përmbushjen e misionit ligjor në formulimin dhe zbatimin e politikave të tjera, si dhe në avokatinë e konkurrencës së lirë. Pjesë e kësaj veprimtarie ka qenë kontributi i Autoritetit në vlerësimin e një sërë dokumentesh të natyrës ligjore dhe nënligjore, duke synuar forcimin e konkurrencës në treg, minimizimin e abuzimeve me pozicionin monopol dhe uljen e përqendrimeve në ekonomi.

Një kujdes të veçantë Autoriteti i ka kushtuar komunikimit me grupet e ndryshme të interesit dhe autoritetet e rëndësishme të shtetit. Në të gjitha rastet është bërë kujdes që komunikimi të jetë sa më transparent dhe i përshtatur në përputhje me karakteristikat kryesore të çdo grupi interesi.

Autoriteti ka arritur të krijojë marrëdhënie efektive bashkëpunimi dhe të shkëmbimit të informacionit të ndërsjelltë me homologët e vet ndërkombëtarë. Bashkëpunimi ndërkombëtar vlerësohet i rëndësishëm, veçanërisht në drejtim të rritjes së ekspertizës, të azhurnimit me 5 tendencat e momentit dhe të rritjes së reputacionit të Autoritetit. Pjesë e bashkëpunimit ndërkombëtar ka qenë dhe angazhimi i pandërprerë i institucionit në funksion të procesit të integrimit evropian të vendit.

Dinamika e zhvillimeve ekonomike dhe financiare në vend, së bashku me objektivat madhore që ka vendi në raport me të ardhmen e tij evropiane, krijojnë në vazhdimësi një ambient të përgjithshëm sfidues për të gjithë aktorët e rëndësishëm institucionalë në fushën e vendimmarrjes dhe rregullimit. Përjashtim nuk bën dhe Autoriteti i Konkurrencës. Misioni i tij unik si garantues i konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, do të mbetet prioriteti madhor i punës sonë në vitin 2019. Autoriteti do të mbetet një avokat i përkushtuar i konkurrencës së lirë dhe interesave të konsumatorit, duke besuar se vetëm në këtë mënyrë do të përmbushë synimin final për më shumë zhvillim dhe mirëqenie për të gjithë.


Ju faleminderit!