Raporte vjetore
Fjala e Kryetares së Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, në Raportimin Vjetor - 2017, përpara Komisionit të Ekonomisë dhe Financave

Prof.Dr. Juliana Latifi


I nderuar zoti kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave,
Të nderuar anëtarë të këtij komisioni,

Jam këtu para jush për të paraqitur veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2017, veprimtari e pasqyruar në raportin me të cilin ju jeni njohur.

Autoriteti i Konkurrencës, gjatë vitit 2017 synoi që misioni i tij për një konkurrencë të lirë dhe efektive në treg të ishte në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe në të mirë të të gjithë konsumatorëve. Ne besojmë se konkurrenca e lirë përbën një nga shtyllat e rëndësishme në ekonomi, rrit eficiencën e tregjeve, për rrjedhim ndikon në rritjen e mirëqenies në terma afatgjatë.

Viti 2017 është konsideruar si viti i konsolidimit të ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Ekonomia shqiptare në vitin 2017 u pozicionua e 75-ta në renditjen e indeksit global të konkurrueshmërisë nga pozicioni i 80-të që ishte klasifikuar për vitin 2016, duke lënë pas vendet e rajonit si: Serbi, Mal i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, referuar raportit më të fundit të konkurrueshmërisë së Forumi Ekonomik Global.

Gjatë veprimtarisë së tij për vitin 2017, nëpërmjet monitorimeve, vlerësimit të ankesave, hetimeve dhe vendimmarrjes, Autoriteti i Konkurrencës ka ndërhyrë në mënyrë të vazhdueshme në tregje me problematika të përsëritura si tregu i karburanteve, tregu i telefonisë celulare, tregu financiar dhe ai i sigurimeve, tregu i transportit detar të udhëtarëve dhe mallrave, si edhe tregu i energjisë.

Nëpërmjet monitorimeve, Autoriteti i Konkurrencës gjatë vitit 2017 ka vlerësuar elementet konkurruese siç janë strukturat e tregut dhe dinamikat e zhvillimit të tij, sjellja e ndërmarrjeve në treg në lidhje me konkurrentët e tjerë, konsumatorët, si dhe barrierat ligjore dhe ekonomike për hyrësit e rinj në treg.

Gjatë vitit 2017 janë monitoruar sektori bankar, telefonia celulare, tregu i shfaqjes së filmave, tregu i importit dhe depozitimit të gazit të lëngshëm, tregu i transportit detar, tregu i importit dhe shitjes së cigareve, tregu i importit dhe përpunimit të kafesë.

Nga ana tjetër hetimet dhe vendimmarrjet e Autoritetit të Konkurrencës u shtrinë në një numër të konsiderueshëm tregjesh: tregu me pakicë i shërbimeve celulare, sektori bankar, tregu i shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe aktivitetet e lidhura me to për mallrat rifuxho në terminalin lindor të portit të Durrësit. Siç e thashë edhe më sipër, tregu i shfaqjes së filmave në kinema në qytetin e Tiranës, tregu i tregtimit të produkteve lëndë e parë për prodhimin e brumërave të bukës dhe nënprodukteve të saj, tregu i transportit ajror të udhëtarëve ndaj ndërmarrjes “Austrian Airlines”, tregu i shërbimit të mirëmbajtjes së pajisjeve fiskale për tregtimin e karburanteve, tregu i furnizimit të avionëve me karburant në zonën gjeografike të aeroportit ndërkombëtar “Tirana International Aeroport”, tregu i transportit ndërkombëtar detar të udhëtarëve dhe automjeteve në portin e Vlorës, tregu i shërbimit funeral në Bashkinë e Beratit, tregu i importit, depozitimit, shitjes me shumicë, shpërndarjes dhe shitjes me pakicë të produktit gaz i lëngshëm për konsum familjar dhe biznes, tregu i prodhimit, grumbullimit, përpunimit të eksportit të duhanit, tregu i gazit natyror, tregu i shërbimit të furnizimin me ujë dhe largimit të përpunimit të ujërave të ndotura.

Komisioni i Konkurrencës gjatë vitit 2017 mori 47 vendime.

Gjatë vitit 2017, Autoriteti i Konkurrencës në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Konkurrencës për vitin 2016” vazhdoi veprimtarinë në drejtim të rritjes së rolit të tij si në funksion të monitorimit, ashtu edhe të atyre tregjeve të hetuara, të cilat konsiderohen tregje sensitive në ekonominë shqiptare.

Konkretisht: në tregun e karburanteve, gazit dhe furnizimit me karburante të avionëve, në tregun e sigurimit të detyrueshëm motorik ndaj palëve të treta, në tregun farmaceutik, në tregun e prokurimeve publike dhe në sektorin bankar.

Gjatë vitit 2017, Autoriteti i Konkurrencës ka vazhduar të luajë rolin e tij si lider i kapitullit të 8-të “Konkurrenca dhe liberalizimi ”, në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, duke përmbushur detyrimet që burojnë nga ajo, veçanërisht në miratimin e një kuadri ligjor sekondar në përputhje me acuqis-e të BE-së.

Gjatë vitit 2017, nga Komisioni i Konkurrencës u miratuan 2 akte të rëndësishme. Së pari, rregullorja “Për kategoritë e marrëveshjeve të transferimit të teknologjisë”, e cila është përafruar plotësisht me Rregulloren e Komisionit Europian "Për zbatimin e nenit 101, paragrafi 3 i Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian”.

Së dyti, broshura informuese “Programi i përputhshmërisë me rregullat e konkurrencës”, dokument, i cili bazohet në të njëjtin dokument që Komisioni Evropian ka përgatitur për të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Gjatë vitit 2017, veprimtaria e Autoritetit të Konkurrencës u ndal veçanërisht edhe në vlerësimin e rasteve të transaksioneve, kontrollit nga ndërmarrje shqiptare apo të huaja, nga të cilat 16 prej tyre kanë kaluar në procedurë vlerësimi nga Autoriteti i Konkurrencës dhe 6 prej tyre u refuzuan nga Autoriteti i Konkurrencës, për shkak se nuk përmbushnin kushtet ligjore.

Në të gjitha rastet e autorizuara, procedurat iu referuan asaj që nga pikëpamja ligjore konsiderohet procedura paraprake e vlerësimit dhe koha mesatare e realizimit të procedurës për vitin 2017 ka qenë afërsisht 24 ditë, në zbatim të udhëzimit “Mbi procedurat e thjeshtuara për trajtimin e disa përqendrimeve”, dokument plotësisht i përafruar me “Njoftimin e Komisionit Europian mbi procedurat e thjeshtuara në trajtimin e disa përqendrimeve”.

Sektorët e ekonomisë me numrin më të madh të transaksioneve, të ndryshimit të kontrollit për vitin 2017 janë:

Sektori i tregtisë me pakicë, nga të cilat AK-ja autorizoi 8 raste të autorizuara, ku mund të përmendim tregun e importit të cigareve, tregun e importit dhe tregtimit të duhanit të prodhuar nëpërmjet makinerive, tregun e prodhimit dhe shitjes së ëmbëlsirave, tregun e prodhimit dhe shitjes së aparateve të televizorit.

Një sektor i rëndësishëm, me të cilin u ndesh Autoriteti i Konkurrencës ishte edhe sektori i telekomunikacioneve me 4 raste të ndryshimit të kontrollit, ku mund të përmendim: tregun e kalimit të frekuencave të telefonisë celulare, tregun financiar me 3 raste përqendrimi, nga të cilat 2 raste në tregun e shërbimeve bankare dhe 1 në tregun e sigurimeve, si edhe tregun e mjeteve motorike.

Nga vlerësimi i përqendrimeve rezultoi se 46% e rasteve të njoftuara janë transaksione, të cilat kanë ndodhur në tregun e jashtëm, por impakti i tyre është ndjerë në tregun e brendshëm, me të cilat Komisioni i Konkurrencës u shpreh me 10 vendime autorizimi, 27% e rasteve te njoftuara janë transaksione që kanë ndodhur në tregun e brendshëm, për të cilat Komisioni i Konkurrencës u shpreh me 6 vendime autorizimi, 27% janë njoftime, të cilat nga pikëpamja ligjore nuk kanë përmbushur kriteret e ligjit.

Në rast se i referohemi tregut të brendshëm, transaksionet më të rëndësishme janë ai i telefonisë celulare, ku AK-ja autorizoi përqendrimin e realizuar nëpërmjet transferimit të spektrit të ndërmarrjes Plus Communication SHA tek Vodafone Albania SHA dhe tek Telekom Albania SHA; tregu i sigurimit të jetës ku AK-ja autorizoi përqendrimin e realizuar nëpërmjet përftimit të kontrollit mbi shitjen dhe transferimin e kuotës prej 90% të ndërmarrjes INSIG Jeta SHA, nga Eurosig SHA te dy persona; tregu bankar ku u autorizua përqendrimi i realizuar nëpërmjet blerjes së disa aseteve, detyrimeve dhe marrëdhënieve ligjore të ndërmarrjes Veneto Banca tek Intesa Sanpaolo Bank; tregu i importit të cigareve, tregu i shitjes së pajisjeve kompjuterike, software dhe hardware.

Gjatë vitit 2017, siç e thashë edhe më lart, AK-ja u shpreh me 47 vendime dhe në raport me gjykatat, vetëm 1 prej tyre është ankimuar pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, vendimi “Për marrjen e masave të përkohshme për rivendosjen e konkurrencës në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit dhe aktiviteteve të lidhura me to, për mallrat rifuxho në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit”, vendim, i cili është lënë në fuqi si nga Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, ashtu edhe nga Gjykata Administrative e Shkallës së Dytë.

AK-ja, gjatë vitit 2017 është përballur me sistemin gjyqësor në lidhje me çështje të caktuara, të cilat janë në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, ku në dy çështje ka qenë paditës dhe në një i paditur.

Në Gjykatën Administrative të Apelit, aktualisht janë gjykuar dy çështje dhe për vitin 2018 janë të mbartura 5 çështje. Në Kolegjin Administrativ të Gjykatës së Lartë kemi të bëjmë me 2 çështje të përfunduara në favor të AK-së dhe të mbartura janë 7 çështje të tjera për vitin 2018.

Një nga problematikat që shfaq marrëdhënia e AK-së me sistemin gjyqësor, në këtë rast është ajo që ka të bëjë me ekzekutimin e vendimeve.

Në vitin 2017, veprimtaria e AK-së ka pasur në fokus edhe gjetjen e rrugëve për të bërë të mundur ekzekutimin e vendimeve të marra në vite nga KK-ja. Rezultojnë se janë 13 vendimmarrje të Komisionit të Konkurrencës të shoqëruara me gjobat respektive, të cilat duhet të ekzekutohen për faktin se në zbatim të nenit 80 të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” ato janë ispo jure tituj ekzekutivë. Po ashtu, edhe vendimet e tjera të dala para ndryshimeve të bëra ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” në vitin 2010 janë shoqëruar nga urdhrat ekzekutivë përkatës.

Këto vendime në vite rezultojnë të pa ekzekutuara. Në letërkëmbimin e vazhdueshëm me Ministrinë e Drejtësisë dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Përmbarimit, po përpiqemi t’i japim një zgjidhje këtij problemi. Jemi në proces për të siguruar vjeljen e këtyre gjobave të vëna nga AK-ja në vite.

Nga ana tjetër, gjatë vitit 2017, roli i AK-së u fokusua në një nga drejtimet apo në shtyllat e ligjit që ka të bëjë me atë që quhet formulimi dhe implementimi i politikave të tjera, veçanërisht të asaj që quhet advokacia e konkurrencës. Gjatë vitit 2017, AK-ja bëri vlerësimin ex-post dhe ex-ante, të një sërë aktesh ligjore dhe nënligjore. Mund të përmendim një grup të caktuar aktesh ligjore në fushën e transportit; projektligjin “Për sigurinë, ndërveprimin hekurudhor, për organizimin dhe funksionimin e autoritetit të sigurisë hekurudhore” ; projektligjin “Për administruesin e infrastrukturës hekurudhore”; projektligjin “Për sipërmarrësin e transportit hekurudhor”; projektligjin “Për Shërbimin Meteorologjik dhe Hidrologjik Shqiptar”.

Nga ana tjetër, po ashtu një sërë aktesh të tjera në fushën e tregut të mediave audiovizive për AMA-n, projekt-kodi i transmetimit për median audiovizive, projekt-rregullorja “Për komunikimet audio”, projekt-rregullorja “ Për përcaktimin e pagesave që kryhen nga Autoriteti i Mediave Audiovizive”, si edhe një kontribut të konsiderueshëm, KK-ja dha veçanërisht në tregun e energjisë dhe në tregun e ri, atij të gazit natyror, rreth 31 vlerësime ligjore.

Së fundi, në muajin dhjetor u shpreh me një vlerësim për sa i përket tregut të shërbimit të furnizimit me ujë dhe largimit të përpunimit të ujërave të ndotura.

Në kuadër të advokacisë së konkurrencës, për herë të parë, AK-ja në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Konkurrencës organizoi konferencën ndërkombëtare me temë: “13 vjet eksperiencë në politikën e konkurrencës në Shqipëri: aspekte të ligjit, ekonomisë dhe biznesit”, ku merrnin pjesë të ftuar nga autoritetet homologe në Europë dhe SHBA, përfaqësues nga organizmat ndërkombëtare, si BE-ja, OECD-ja, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin, si edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe enteve rregullatore.

Në kuadër të advokacisë së konkurrencës, Autoriteti zhvilloi disa tryeza të rrumbullakëta në tre qytete, të cilat kanë një komunitet të ndjeshëm biznesi: në qytetin e Elbasanit, të Fierit dhe të Durrësit. Fokusi i AK-së ishte njohja e komunitetit me dy dokumente: programin e lehtësimit nga gjobat dhe programin e përputhshmërisë me rregullat e konkurrencës.

Në kuadër të integrimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar, mund të themi se procesi i integrimit, përbën një nga prioritetet dhe sfidat e veprimtarisë së AK-së, si një institucion lider në kapitullin e 8-të “Politika e konkurrencës dhe liberalizimi”. AK-ja gjatë vitit 2017 përmbushi misionin dhe detyrimet e tij, siç e thashë edhe më sipër, me miratimin e dy akteve nënligjore: rregullores “Për kategoritë e marrëveshjeve të transferimit të teknologjisë” dhe broshurës informuese “Programi i përputhshmërisë me rregullat e biznesit”.

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mund të themi se viti 2017 shënon një progres për veprimtarinë e AK-së, sidomos në kuadër të rrjetit ndërkombëtar të konkurrencës, ku AK-ja është bërë tashmë pjesëmarrëse në 5 grupe pune, në bazë të të cilit AK-ja në Shqipëri ndan eksperiencën dhe përvojën e saj me autoritetet e tjera, si edhe merr eksperiencën nga këto autoritete, përkatësisht: grupi i punës për advokacinë, grupi i punës për efektivitetin e autoritetit, grupi i punës për kartelet, grupi i punës për përqendrimet dhe grupi i punës për sjelljen e njëanshme në rastet e abuzimeve me pozitën dominuese.

AK-ja gjatë vitit 2017 vazhdoi bashkëpunimin me Organizatën për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin, si edhe Qendrën Rajonale për Konkurrencën.

Si rezultat i këtij bashkëpunimi për vitin 2018, AK-ja dhe Shqipëria është përzgjedhur si vendi pritës për të organizuar nga datat 19-21 qershor seminarin me temë “Për kontrollin e përqendrimeve”, me pjesëmarrjen e 27 vendeve anëtare që do të jenë nga Autoritetet e Konkurrencës.

Kjo ishte në vija të përgjithshme veprimtaria e AK-së për vitin 2017.

Nga ana tjetër dua të bëj edhe një përmbledhje të shkurtër, për sa u përket atyre që ne i konsiderojmë prioritete të vitit 2018 dhe në të njëjtën kohë, parë këto prioritete të lidhura ngushtë me atë që ne e quajmë përafrimin institucional me standardet dhe praktikat e BE-së.

Në rast se i referohemi prioritetit të parë, mund të themi se në fokus të një konkurrence të lirë, AK-ja do të ketë si prioritete të veprimtarisë së saj mbikëqyrjen dhe hetimin, ato që ne konsiderojmë tregjet me sensitive të ekonomisë shqiptare dhe me impakt të drejtpërdrejtë në interesat dhe mirëqenien e konsumatorit shqiptar, përkatësisht: tregu i telekomunikacioneve (ku bën pjesë tregu i telefonisë celulare, ne presim që këtë vit të vazhdojmë hetimin në këtë treg dhe të hapim një hetim të ri të përgjithshëm në tregun e postave); tregu i energjisë, tregu i hidrokarbureve, tregu financiar dhe i sigurimeve, si dhe tregu i agrobiznesit.

AK-ja, në zbatim të nenit 69, të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” synon të forcojë bashkëpunimin me institucionet e administratës qendrore dhe vendore lidhur me vlerësimin për çdo projek-takt normativ që në mënyrë të veçantë ka të bëjë me vendosjen e të drejtave ekskluzive ose të drejtave të veçanta, kufizimet sasiore për hyrje në treg dhe tregtimin, imponimin e praktikave të njëjta në çmime dhe kushtet e shitjes.

AK-ja, vjet ka filluar një hetim në lidhje me një të drejtë ekskluzive për zhvillimin e një aktiviteti në Terminalin Lindor të Durrësit dhe në të njëjtën kohë, gjatë fillimit të vitit 2018 ka hapur përsëri procedurën e hetimit paraprak në një të drejtë ekskluzive tjetër.

Po ashtu AK-ja, në zbatim të nenit 70, të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” synon të bashkëpunojë me entet rregullatore, në kuadër të rolit të tij për rregullimin dhe reformën rregullatore në sektorët e rregulluar.

Për sa i përket përafrimit institucional me standardet dhe praktikat e BE-së, në kuadër të Planit Kombëtar për Integrimin Evropian 2017-2020 janë parashikuar të përafrohen dy dokumente të rëndësishme: udhëzuesi “Mbi kufizimet e drejtpërdrejta të lidhura dhe të nevojshme për përqendrimet”, si dhe udhëzimi “Për vlerësimin e marrëveshjeve në sektorin e telekomunikacioneve” .

AK-ja do të vazhdojë të monitorojë rregullisht zbatimin e MSA-së, si pjesë përbërëse e kapitullit të 8-të, si dhe të planit kombëtar për Integrimin Europian, duke dhënë kontributin përkatës.

Ajo që dua të evidentoj është fakti se AK-ja, këtë vit është përfituese e dy projekteve të mëdha me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH-in “Asistence teknike për AK-në, rritja e kapaciteteve, hartimi i legjislacionit dhe advokacia”.

Projekti i dytë me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin UNCTAD, në projektin e përbashkët me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, projekti që ka të bëjë me “Competition and Consumer Protection Policy” në Shqipëri, parashikohet jo vetëm trajnimi i stafit, por edhe një bashkëpunim i ngushtë me sistemin gjyqësor.

Së fundi, në mbyllje të këtij prezantimi do të doja të falënderoja Komisionin e Ekonomisë dhe veçanërisht kryetarin e këtij komisioni, zotin Braçe, për mbështetjen që i kanë dhënë AK-së në kuadër të mekanizmit institucional të ngritur nga Kuvendi për ndjekjen dhe monitorimin sistematik të rekomandimeve të dhëna nga ai.