Njoftime për shtyp
Fjala e Kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Znj. Juliana Latifi, në Konferencën "Konkurrenca dhe Sipërmarrja", mbajtur më 14 nëntor 2019
Fjala e Kryetares së Autoritetit të Konkurrencës, Znj. Juliana Latifi, në Konferencën "Konkurrenca dhe Sipërmarrja", mbajtur më 14 nëntor 2019

E nderuar Nënkryetare e Kuvendit, Zj. Hysi
I nderuar Ministër, Z.Shalsi
I nderuar Kryetar i Sektorit Ekonomik i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Z. Vera
Të nderuar pjesëmarrës.


Kam kënaqësinë t’ju uroj mirëseardhjen me rastin e 15 vjetorit të Autoritetit të Konkurrencës, si dhe me lançimin e Projektit të Binjakëzimit IPA, midis Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës dhe Komisionit Kombëtar Spanjoll të Tregjeve dhe Konkurrencës.

Autoriteti i Konkurrencës, si një institucion publik i pavarur, ka hyrë në dekadën e dytë të tij. Në vitin e 15 të ekzistencës së tij, veprimtaria institucionale e tij mbështetet në moton se: Mbrojtja e konkurrencës së lire dhe efektive në treg, i shërben mbi gjithçka interesave të konsumatorit, nxitjes së sipërrmarjeve, eficensës së tregjeve si dhe  prosperitetit ekonomik dhe social afatgjatë të vendit.

Nga një institucion i brishtë fillimisht, me pak know–how, me trashëgimi zero në promovimin dhe mbrojtjen e konkurrencës së lirë, sot veprimtaria e Autoritetit të Konkurrencës mbulon të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në sektorët më sensitivë të ekonomisë, të tilla si: nafta, gazi, telefonia celulare, tregu i sigurimeve, tregu bujqësor, sistemi bankar dhe produktet  e tij, prokurimet publike, etj.

Nga të gjithë hetimet e kryera, që nga viti 2004 e deri më sot, nga ana e Komisionit të Konkurrencës janë marrë 655 vendime, nga të cilat sektorët/tregjet më të prekura janë:

- sektori financiar (bankat dhe tregu i sigurimeve);
- tregu i karburanteve;
- tregu i telekomunikacionit;
- tregu i energjisë;
- tregu i transportit, etj.

Forcimi i zbatimit të ligjit nëpërmjet vendosjes së masave administrative me gjoba ka qenë dhe është një instrument i rëndësishëm ligjor me anë të së cilit Autoriteti Konkurrencës ndërhyn në treg për të ndaluar dhe eliminuar shkeljen e rregullave të konkurrencës. Vetëm në vitin 2018, AK arkëtoi në të ardhurat e buxhetit të shtetit shumën: 269 milionë lekë.

Pjesë e rëndësishme e punës së Autoritetit të Konkurrencës është edhe vlerësimi ex-ante dhe ex-post, i akteve ligjore të institucioneve shtetërore dhe enteve të tjera rregullatorë publike, të cilat vendosin të drejta eksklusive/veçanta dhe ndikojnë konkurrencën në mëyrë të drejtëpërdrejtë në treg.

Autoriteti i Konkurrencës ka luajtur një rol aktiv në procesin e integrimit. Ai është institucioni lider ne Kapitullin e 8-të të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit - “Konkurrenca dhe liberalizimi”.

Veprimtaria e tij, si nga pikëpamja e procedurave investigative, ashtu edhe vendimarrëse, është në koherencë me legjislacionin evropian dhe praktkën evropiane.

Duke ju falënderuar edhe një herë për pjesëmarrjen, kalojmë në punimet e kësaj konference sipas sesioneve.