Njoftime për shtyp
Vizitë pranë Autoritetit Maltez të Konkurrencës dhe të Çështjeve të Konsumatorit

Në kuadër të “Memorandumit të Mirëkuptimit” midis Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës dhe Autoritetit Maltez të Konkurrencës dhe të Çështjeve të Konsumatorit, në datat 26 – 27 Shtator, përfaqësues të Autoritetit të Konkurrencës zhvilluan një vizitë ne Maltë, ku në datën 26 Shtator u pritën nga Kryetarja e Autoritetit Maltez të Konkurrencës dhe Cështjeve të Konsumatorit, Ing. Helga Pizzuto.




Në takimin me Drejtorinë e Konkurrencës, përfaqësuesit e Autoritetetit Shqiptar të Konkurrencës u njohën nga afër me eksperiencën e një vendi anëtar të BE në lidhje me zbatimin e ligjit të konkurrencës, bashkëpunimin midis vendeve anëtare në kuadër të Rrjetit Evropian të Konkurrencës (ECN), harmonizimin e legjislacionit kombëtar me legjislacionin evropian, dhe veçanërisht me Direktivën ECN+.




Më 27 Shtator përfaqësuesit e Autoritetit Shqiptar të Konkurrencës u pritën nga SH.T.Z. Deo Debattista, Sekretar Shteti përgjegjës për Konkurrencën dhe Mbrojtjen e Konsumatorit, dhe nga SH.T.Z. Edward Zammit Lewis, Ministër për Marrëdhëniet me Evropën dhe Barazinë, të cilët shprehën mbështetje për Shqipërinë lidhur me integrimin në BE si dhe me çështjet e bashkëpunimit në fushën e zbatimit të ligjit të konkurrencës.





Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Znj. Juliana Latifi, shprehu mirënjohjen e saj për angazhimin e qeverisë së Maltës në mbështetje të proçeseve integruese në Shqipëri, dhe posaçërisht të procesit të hapjes së negociatave për Shqipërinë.