Njoftime për shtyp
Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në Forumin “Konkurrenca dhe Biznesi”, organizuar nga Autoriteti i Konkurrencës
Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, në Forumin “Konkurrenca dhe Biznesi”, organizuar nga Autoriteti i Konkurrencës
14 dhjetor 2018, ora 10:00, Hotel Tirana



E nderuar Kryetare,

Të nderuar pjesëmarrës,

Është kënaqësi të marr pjesë në këtë forum të rëndësishëm, organizuar nga Autoriteti i Konkurrencës, me pjesëmarrjen e AKEP, Entit Rregullator të Energjisë e Komisionerit të Mbrojtjes së të Dhënave Personale.

Këto institucione mbikqyrin sektorë jetikë, me ndikim të drejtpërdrejtë e të ndjeshëm në mirëqenien e qytetarëve.

Tematika e këtij forumi prek një përmasë të rëndësishme të zhvillimit: respektimin e rregullave të tregut në ekonomi.

Por, që të jem i sinqertë, unë nuk jam në këtë sallë për të folur për lojrat e tregjeve sepse ato vetërregullohen.

Tregjet dhe sipërmarrjet janë si uji që rrjedh vetëm poshtë dhe atje ku nuk gjen pengesa. Askujt nga ne nuk i shkon ndërmend të vendosë pengesa në këtë rrjedhë.

Të gjithë e kemi të qartë që ekonomia jonë u nënshtrohet rregullave të tregut, por shteti, qeveria, ju dhe agjencitë e tjera të pavarura, duhet të pengojmë që “dora e padukshme” të mos shndërrohet në “grusht të padukshëm”.

Që liria e tregjeve të mos godasë verbërisht, dekurajojë, dëshpërojë e përjashtojë të dobtit, të varfërit dhe të pambrojturit.

Por “grushti i padukshëm” godet jo vetëm të dobtit, por edhe të fortët, jo vetëm të varfërit, por edhe të pasurit, jo vetëm punëtorët, por edhe sipërmarrësit.

Prandaj, ne, ligjvënënsit dhe politikëbërësit, e kemi për detyrë të hartojmë, zbatojmë dhe monitorojmë dy korpuse ligjesh:

Së pari, për derregullimin e tregjeve, si motorri i zhvillimit dhe rritjes ekonomike.

Së dyti, që liria e tregjeve të mos godasë dhe të mos kufizojë të drejtat sociale e njerëzore, mirëqenien e qytetarëve, sidomos të dobtëve.

Pajtimi midis tregjeve të lira dhe shoqërisë solidare është i mundur, pa cënuar parimet e liberalizmit ekonomik, por duke ushqyer përmasën e tij sociale dhe njerëzore.

Të gjithë parametrat e zhvillimit ekonomik: liria, konkurrenca, produktiviteti, barazia e shanseve në treg, nuk duhet të injorojnë e të braktisin qëllimin e rritjes dhe “përkthimin” e saj në mirëqenie për të gjithë qytetarët.

Autoriteti i Konkurrencës është një hallkë e rëndësishme, në krijimin e një ambienti biznesi miqësor, të ndershëm dhe të barabartë në shanse për këdo.

Por zhvillimi ekonomik i vendit duhet të shkojë në përfitim të qytetarëve, si konsumatorë finalë të produkteve e shërbimeve.

Konkurrenca e drejtë dhe e shëndetshme kontribuon direkt në rritjen e mirëqenies së popullatës.

Po a i jeni përgjigjur ju, si institucione të pavarura, dhe ne të gjithë, këtij destinacioni të tregjeve dhe të lirisë ekonomike? Si kemi kontribuar dhe po kontribojmë që liria ekonomike të mos godasë, por të ushqejë liritë sociale dhe njerëzore?

Përfaqësuesit e institucioneve janë në shërbim të Kushtetutës e të ligjit, dhe njëherësh edhe në shërbim të qytetarëve.

Megjithatë, po konstatoj se përgjegjësia sociale dhe njerëzore nuk janë për ju po aq të shenjta sa janë kushtetueshmëria dhe ligjshmëria.

Ne duhet të respektojmë një për një frymën dhe gërmat e Kushtetutës dhe të ligjeve. Por po aq rigorozë duhet të jemi edhe me respektimin një më një të detyrimeve e standarteve njerëzore e sociale të ligjeve, reformave dhe institucioneve tona.

Është detyra juaj e drejtpërdrejt, por edhe përgjegjësia jonë politike, kombëtare e institucionale që shërbimet publike të jenë cilësore dhe të përballueshme. Këto shërbime nuk janë luks për qytetarët. Edhe ato janë pjesë e detyrimeve tona kushtetuese.

Le të marrim një aspekt të shërbimeve publike, ku secili duhet ta shikojë pozicionin dhe performancën e vet në mënyrë kritike.

E kam fjalën për tarifat e shërbimeve. Autoriteti i Konkurrencës, ERE dhe AKEP duhet të ndërgjegjësohen se nuk kanë mbrojtur interesat jetikë të qytetarëve me përgjegjësinë që u kushtojnë monitorimit të tregjeve.

Komisioni i Autoritetit të Konkurrencës, në nëntor 2018 ka hapur një procedurë hetimi në universitete, për vlerësimin e shërbimeve, konkurrencës midis universiteteve publike e private, standartet e cilësinë e mësimdhënies.

Element i hetimit është konkurrueshmëria midis universiteteve, mbështetur në nivelin e tarifave dhe përfitimeve të studentëve.

Kjo do të ndihmojë që tarifat t’u afrohen sa më shumë kostove, të bëhen të përballueshme edhe nga studentët me të ardhura të pakta.

U rekomandoj universiteteve publike të rishqyrtojnë të gjitha tarifat e shkollimit e të shërbimeve, për t'u krijuar mundësi studentëve me të ardhura modeste të mos përjashtohen apo kufizohen nga kjo e drejtë.

Ndërkohë, universitetet private duhet të justifikojnë tarifat e shkollimit me cilësinë e mësimdhënies. Duhet ta kenë të qartë se arsimi privat nuk ka lindur për t'u krijuar mundësi më pak të aftëve, por për të konkurruar arsimin publik dhe rritur cilësinë e sistemit.

Por konstatoj me keqardhje se konkurrenca midis arsimit publik dhe privat nuk zhvillohet për cilësinë e shkollimit dhe fuqinë e tregut të diplomave.

U bëj thirrje të gjitha institucioneve të pavarura që kanë për objekt të veprimtarisë së tyre aspekte të shërbimeve publike dhe mirëqenies, të rivlerësojnë mundësitë që krijonë tarifat e shërbimeve publike për shërbime të aksesueshme për të gjithë qytetarët.

Natyrisht, pa dëmtuar rregullat e tregjeve, por edhe të mos i lemë qytetarët nën goditjet e forcave të pashpirt të tregjeve.

Vetëm kështu institucionet e pavarura do të vihen plotësisht në rolin e tyre edhe si arbitra të lojës së ndershme në treg, por edhe si rojtarë të interesave të qytetarëve.

Nëse dëshirojmë që zhvillimin dhe rritjen ekonomike ta “përkthejmë” në mirëqenie e shërbime për qytetarët, institucionet e pavarura, duhet të bëhen “përkthyesit” e rritjes dhe shërbimeve publike në interes publik e qytetar.

Ky nuk është një mision i pamundur dhe për këtë mbështetja e Kuvendit nuk do ju mungojë asnjëherë.

Ju faleminderit dhe punë të mbarë.