Njoftime për shtyp
Njoftim për shtyp: Tregu me pakicë i shërbimeve celulare

Me vendimin nr. 475, datë 21.09.2017 “Për mbylljen e hetimit paraprak në tregun me pakicë të shërbimeve celulare dhe dhënien e disa rekomandimeve”, Autoriteti i Konkurrencës, ndër të tjera, i rekomandoi AKEP: “Ndryshimin e nenit 8 të Rregullores Nr. 27/2012 “Mbi publikimin e informacionit për tarifat si dhe kushtet e aksesit dhe përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike”, duke parashikuar detyrimin e ndërmarrjeve për njoftimin në AKEP përpara bërjes efektive të miratimit të tarifave/ndryshimeve”.

Në vijim të rekomandimit të mësipërm, Këshilli Drejtues i AKEP me vendimin nr. 37, datë 18.5.2018 “Për miratimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në Rregulloren nr. 27, datë 21.09.2012 “Mbi publikimin e informacionit për tarifat si dhe kushtet e aksesit dhe përdorimit të shërbimeve të komunikimeve elektronike publike””, kreu ndryshimet përkatëse në nenin 8 të Rregullores nr. 27, datë 21.09.2012.

Sipas ndryshimeve në rregullore, ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në treg janë të detyruar të paraqesin në AKEP informacionin mbi tarifat e shërbimeve, si dhe çdo ndryshim të tyre me arsyetimet mbështetëse, jo më vonë se 15 ditë para hyrjes në fuqi të tarifave ose ndryshimeve të tyre.

Masat rregullatore të ndërmarra nga AKEP, duke zbatuar dhe rekomandimet e dhëna nga AK, nxisin konkurrencën e lirë dhe efektive në treg.

Autoriteti i Konkurrencës, në zbatim të vendimit nr. 475, datë 21.09.2017, vazhdon ta ketë nën monitorim tregun e telefonisë celulare.