Njoftime për shtyp
Konferenca Ndërkombëtare e Konkurrencës
Autoriteti i Konkurrencës zhvilloi në datat 11-12 dhjetor 2017 në Hotel Tirana International, Konferencën Ndërkombëtare me temë: “13 vjet eksperiencë në politikën e konkurrencës në Shqipëri: aspekte të ligjit, ekonomisë dhe biznesit”, ku merrnin pjesë të ftuar nga Autoritetet homologe në Europë dhe SHBA, përfaqësues nga organizmat ndërkombëtare: BE, OECD, Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD), Energy Community Secretariat (ECS), etj, përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe enteve rregullatore në Shqipëri.



E ftuar në këtë konferencë ishte Znj.Mesi zv.Kryeministre e Republikës së Shqipërisë, e cila në fjalën e saj midis të tjerave tha: Qeveria e Shqipërisë e konsideron themelore ekzistencën e ekonomisë së tregut të lirë të bazuar në iniciativën e lirë të sipërmarrësve, garant i së cilës është respektimi i konkurrencës së lirë mes të gjithë aktorëve të tregut, dhe e vlerëson pozitivisht rolin e Autoritetit të Konkurrencës në sigurimin e një konkurrence të lirë dhe efektive në treg, në zbatim të ligjit nr. 9121, datë 28.7.2003, “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të ndryshuar. Ne inkurajojmë Autoritetin e Konkurrencës që të përmbushë të gjithë rekomandimet e lëna nga Kuvendi i Shqipërisë duke monitoruar pa ndërprerje tregjet e ndryshme dhe duke marrë   vendime dhe masa korrektuese të shpejta  dhe të zbatueshme.



Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Znj.Juliana Latifi duke folur për veprimtarinë e Autoritetit të Konkurrencës, si një institucion publik i pavarur, i cili ka hyrë në vitin e 13-të të veprimtarisë së tij, midis të tjerave tha se: Nxitja dhe mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, i shërben mbi gjithçka interesave të konsumatorit, eficensës së tregjeve si dhe  prosperitetit ekonomik dhe social afatgjatë të vendit. Vendimmarrja e Autoritetit, ka mbuluar pak a shumë të gjithë sektorët e ekonomisë shqiptare, duke u ndalur veçanërisht në sektorët më të ndjeshëm të ekonomisë, të tilla si: karburantet, gazi, telefonia celulare, tregu i sigurimeve, tregu bujqësor, sistemi bankar dhe produktet  e tij, si dhe prokurimet publike. Nga të gjithë hetimet e kryera, që nga viti 2004 e deri më sot, nga ana e Komisionit të Konkurrencës janë marrë 488 vendime, shoqëruar disa prej tyre edhe me masa administrative – gjoba.
Përballë sfidave, që nxjerr procesi i ardhshëm i antarësimit në BE, roli i Autoritetit të Konkurrencës, në një ekonomi gjithnjë e më shumë globale, rrit nevojën për rregulla dhe parime anti-trust, në kuadër të një bashëpunimi më të gjerë ndërkombëtar.

Fjala e Kryetares së Autoritetit të Konkurrencës Prof. Dr. Juliana Latifi







Ndërsa Z. Russell Pittman, Drejtor i Kërkimeve Ekonomike, në Departametin e Drejtësisë në SHBA, i ftuar të marrë pjesë në punimet e kësaj konference, në fjalën e tij vuri theksin se ajo që ne duam të përmbushim në funksion të konkurrencës është ekzistenca e tregjeve bazuar në zbatimin e rregullave të ligjit, i cili do të sigurojë: krijimin dhe ruajtjen e tregjeve të lira; gjykata të pavarura dhe të drejta pronësore të themeluara mirë, që do të tërheqin investimet private, të huaja dhe vendore, dhe që do të krijojnë vende pune.
Liberalizimi ekonomik dhe reformat i shërbejnë: mbrojtjes së konsumatorit të dobët nga kartelet, mbrojtjes së fermerëve të vegjël dhe bizneseve nga abuzimet e blerësve dhe furnizuesve dominues, mbrojtjes së konsumatorit nga tarifat e larta, dhe nga politikat dritë shkurtëra të qeverive.