Roli i AK në Liberalizimin
Fusha e zbatimit të ligjit për mbrojtjen e konkurrencës, përfshin edhe ndërmarrjet publike dhe ndërmarrje të cilave u janë dhënë nga shteti të drejta ekskluzive ose të drejta të veçanta. Në këtë mënyrë, sigurohen rregulla të njëjta tregu edhe për ato ndërmarrje që janë në pronësi publike apo që vetë shteti i ka dhënë të drejta ekskluzive. Pra në këtë mënyrë liberalizohet e i nënshtrohet konkurrencës së lirë e efektive edhe veprimtaria e këtyre ndërmarrjeve.
Megjithatë, ligji për mbrojtjen e konkurrencës, ka parashikuar një përjashtim nga zbatimi i këtij ligji në rastin e ndërmarrjeve të cilave u është dhënë e drejta e ushtrimit të veprimtarisë në fushën e shërbimeve me interes ekonomik të përgjithshëm (SIEP)* apo të monopoleve të orientuar drejt sigurimit të të ardhurave. Por një përjashtim i tillë nuk mundet që të shkojë përtej asaj që është  nevojshme për kryerjen e shërbimit.

*SIEP janë aktivitete të ndryshme ekonomike që nuk mund të prodhohen nëse i lihen në dorë vetëm forcave të tregut ose së paku nuk mund të ofrohen me kushte e çmime të përballueshme duke mos diskriminuar askënd. SIEP zhvillohen në interes ë publikut të gjerë në bazë të kushteve të vendosura nga shteti i cili imponon një detyrim për ofrimin e shërbimeve të tilla për të gjithë. Këto shërbime mund të ofrohen nga një ose disa ndërmarrje apo ente private ose publike. Shërbime të tilla mund të jenë shërbimet postare, furnizimi me energji elektrike, telekomunikacionet shërbimet sociale, transporti publik, etj..