Çfarë është pozita dominuese?
Në bazë të nenit 3 të Ligjit Nr.9121 dt 28.7.2003 “Për mbrojtjen e Konkurrencës”: “Pozitë dominuese" është pozita e një ose më shumë ndërmarrjeve, që i lejon ato të jenë të afta të veprojnë, për sa i takon ofertës ose kërkesës, në mënyrë të pavarur nga pjesëmarrësit e tjerë në treg, si: konkurrentët, klientët ose konsumatorët.


Si vlerësohet pozita dominuese?
Pozita dominuese e një ose më shumë ndërmarrjeve vlerësohet, duke marrë parasysh:
a) pjesën e tregut përkatës të ndërmarrjes ose ndërmarrjeve në shqyrtim dhe të konkurrentëve të tjerë;
b) pengesat në hyrje në tregun përkatës;
c) konkurrencën potenciale;
ç) fuqinë ekonomike dhe financiare të ndërmarrjeve;
d) varësinë ekonomike të furnizuesve dhe blerësve;
dh) fuqinë kundërvepruese të blerësve;
e) zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes së ndërmarrjeve dhe mundësitë e shfrytëzimit të burimeve të produkteve;
ë) lidhjet ekonomike me ndërmarrjet e tjera;
f) karakteristika të tjera të tregut përkatës si: homogjenitetin e produkteve, transparencën e tregut, uniformitetin e kostos dhe të madhësisë së ndërmarrjeve, qëndrueshmërinë e kërkesës ose të kapaciteteve të lira prodhuese.


Çfarë përbën abuzim me pozitën dominuese?
Mund të përbëjnë abuzim:
a) vendosja, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, e çmimeve të padrejta blerjeje ose shitjeje, ose e kushteve të tjera të padrejta të tregtimit;
b) kufizimi i prodhimit, tregjeve ose zhvillimit teknik;
c) zbatimi i kushteve të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme konkurrence;
ç) lidhja e kontratave, me kusht që palët e tjera kontraktuese të pranojnë detyrime shtesë;
d) vendosja e çmimeve ose e kushteve të tjera, që kanë si objekt ose si pasojë pengimin e hyrjes ose nxjerrjen jashtë tregut përkatës të konkurrentëve të veçantë a të një produkti të tyre;
dh) refuzimi për të tregtuar ose për të dhënë licenca;
e) refuzimi i hyrjes së një ndërmarrjeje tjetër, kundrejt një shpërblimi të përshtatshëm, në rrjetin ose në infrastrukturat e ndërmarrjes me pozitë dominuese, nëse ky refuzim i përdorimit të njëkohshëm të rrjetit ose të infrastrukturave pengon ndërmarrjen tjetër të veprojë si konkurrent i ndërmarrjes me pozitë dominuese.


Përkufizimi i “çmimeve gabiqare” (predatory pricing) 
Çmime grabitqare kemi në ato raste kur një ose më shumë firma, vendosin çmime nën nivelin e kostos së prodhimit, me qëllim që të detyrojnë konkurrentët të dalin nga tregu duke siguruar fitime të larta në të ardhmen.

Përkufizimi i “marrëveshjeve ekskluzive”
Marrëveshje ekskluzive kemi në ato raste kur ofruesi i mallrave ose shërbimeve kërkon si kusht ndaj kontraktorit që ky i fundit të shesë vetëm mallrat ose shërbimet e ofruesit

Kufizimet e tregut
Kufizim të tregut kemi në ato raste kur ofruesi i mallrave ose shërbimeve kërkon ndaj shitësit që të ofrojë këto mallra ose shërbime vëtëm në një treg të caktuar.


Përkufizimi i “çmimeve të ngjeshura” (Price squeezing)
Cmime të ngjeshura kemi në ato raste kur një firmë dominante e integruar vertikalisht vendos cmime të paarsyeshme, ndaj shitësve me të cilët firma mund të konkurojë nëpërmjet një dege të kompanisë së saj.

Gjoba që mund të vendosë Komisioni në rastet e abuzimit me pozitën dominuese
Në bazë të nënit 74, të Ligjit Nr.9121 dt 28.7.2003 "Për mbrojtjen e Konkurrencës": Komisioni mund të vendosë gjobë në masën 2 deri në 10 për qind të xhiros totale të vitit financiar paraardhës, për çdo ndërmarrje pjesëmarrëse që shkel nenin 9 të ligjit që ka të bëjë me: Abuzimi me pozitën dominuese në treg.


Çfarë mund të bëni Ju?
Nëse dyshoni për një sjellje anti konkurruese kontaktoni me Autoritetin e Konkurrencës i cili do të hetojë mbi këtë sjellje. Ligji i jep Autoritetit të Konkurencës fuqinë për të hetuar dhe vepruar rreth sjelljeve anti konkuruese.